Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati ka thënë se Policia ka filluar me aktivitete të shtuara rreth shkollave.
Ajo ka thënë se shqetësimi i prindërve është edhe shqetësim i Komunës.
Musmurati ka thënë se sa i përket investimeve infrastrukturore do të sigurohen që të gjitha shkollat dhe çerdhet e Prishtinës të pajisen me kamera.
“Meqë OSHP-ja nuk është funksionale tenderi paraprak është anuluar porse do të shpallet tender i ri. Do të ndriçohen gjithashtu edhe oborret e shkollave. Do të bëjmë një manual të raportimit dhe menaxhimit të dhunës në shkolla. Do të trajnojmë ekipin e shkollës që të bëjnë raportimin e dhunës në shkolla. Në pandemi dhuna në shkolla ka shënuar rritje. Krahas policisë do të kemi edhe psikolog në shkolla. Transporti i fëmijëve është një temë që do ta trajtojmë sepse kemi dëgjuar se ka edhe keqpërdorime”, ka thënë ajo.
Musmurati ka thënë se shkolla “Iliria” ishte në një gjendje të keqe prandaj edhe ka filluar investimi.
Ajo ka thënë se ndarjet buxhetore janë bërë, porse planifikimi për të ardhmen do të bëhet në bazë të nevojave.
Sipas saj, investimi i shpeshtë në shkollën “Ismail Qemajli” është për shkak të numrit të madh të nxënësve.
“Përderisa lagjet tona çdo ditë po rritet, investimi në shkolla po mungon. Ne do të reflektojmë në këtë nevojë. Ne po bëjmë stërngarkesë të shkollave aktuale, për shkak se edhe nëse vazhdimisht investohet nuk mund të bëhet zgjidhje. Për përzgjedhjen e drejtorëve ne do të kemi bashkëpunim me Ambasadën britanike. Ne për herë të parë kemi bërë thirrje te prindërit që të marrin pjesë në komisionin përzgjedhës për drejtorët”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se gjatë fushatës janë konsultuar edhe ekspertët për menynë e ushqimit në çerdhe.
Sipas saj, ka dalë që kiflet nuk janë të shëndetshme dhe menyja nuk do të jetë me kifle.