Arbëri

Cilat nëna mund të përfitojnë nga subvencionimi prej 500 eurosh në Prishtinë

Nga 500 euro është subvencioni për nënat që janë në skemë sociale, sipas propozimit të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, që pritet të shqyrtohet në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal. Drejtoresha Adelinë Sahiti ka dhënë detaje se kush mund të përfitojë nga këto subvencione dhe si ka ardhura drejtoria te propozimi.

Ajo ka thënë në emisionin “SOT” në KTV se për të përfituar nga kjo masë nëna duhet të jetë përfituese e skemës sociale, banore e Prishtinës, me vendbanim në Prishtinë dhe që lindja të jetë kryer në periudhën pas 1 janarit 2022. Pra vendimi vlen retroaktivisht për të gjitha gratë që janë bërë nëna nga fillimi i këtij viti e që janë pjesë e skemave sociale.

Sahiti ka thënë se propozimi ka dalë pas një hulumtimi të vlerësimit të nevojave të përfituesve të skemave sociale. “Kemi parë se rreth 80 për qind e mbi 1000 respondentëve, kanë të hyra prej 100 deri 300 euro në muaj. Një lehonë ka nevoja të shumta mjekësore për lindje dhe foshnja ka nevoja për ushqyerje e nevoja higjienike. E dimë se kushtojnë dhe e kemi pa të udhës dhe hap të domosdoshëm që t’u gjendemi pranë duke i subvencionuar me nga 500 euro”, ka thënë ajo.

Sipas saj, propozimi ka përkrahjen e të gjitha partive në Kuvend Komunal. Propozimi ka qenë që të ketë rritje të subvencioneve. Ka shtuar se kjo mund të shqyrtohet në të ardhmen.

Nëse propozimi merr miratimin e Kuvendit më 10 maj, vendimi hyn në fuqi 15 ditë më pas.

Sahiti ka paralajmëruar ndihmë të komunës edhe për gratë viktima të dhunës në familje.