Ka shtatë muaj që Zyra e drejtorit në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet qëndron e mbyllur.
Drejtoresha Fahrije Retkoceri thotë se nuk ndihet e sigurt ta kryejë detyrën e saj në ambientet e këtij objektit. Zgjedhja e saj, atëkohë, është përcjellë me bojkot të mësimit të disa mësimdhënësve dhe me protesta.
Ajo është njëra nga 37 drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave të zgjedhur në tetorin e vitit të kaluar nga Komuna e Prishtinës. Por mësimdhënësit petendojnë se zgjedhja e saj është bërë me njoftësi dhe se për këtë arsye, sipas tyre, nuk e pranojnë të shkollë.
"Më falni, për cilën drejtoreshë e keni fjalën, se s'po e di për kë e keni fjalën, për cilën drejtoreshë. Na s'kemi drejtoreshë këtu ka gati shtatë muaj, ndoshta edhe më tepër. As drejtor dhe as drejtoreshë, ne këtu jemi duke zhvilluar mësimin në mënyrë normale, sipas plan-programeve tona, kështu që nuk kemi ndonjë problem apo diçka", tha Ilmi Reçica, mësimdhënës në gjimnazin “Sami Frashëri”.
Por Retkoceri, që thotë se punën po e kryen nga distanca, i mohon pretendimet e mësimdhënësve. Pret zgjidhjen e shpejtë të kësaj çështjeje.
“Çështja do të zgjidhet, jam në komunikim. Këtë çështje e kanë krijuar MASHTI dhe ish-qeverisja komunale. Unë asnjë ligj nuk e kam thyer, kam kontratën e punës që jam përzgjedhur nga komisioni intervistues, nuk merrem me shantazhe. Do ta respektoj punëdhënësin”, u shpreh ajo.
E tërë kjo situatë i ka shqetësuar prindërit, të cilët kërkojnë veprimin e Drejtorisë së Arsimit.
“Si prind, natyrisht ne do të dëshironim t'i kishim disa organe të rregullta që t'iu drejtoheshim për probleme të caktuara për nxënësit, për mbarëvajtjen e mësimit në shkollë, dhe kjo tani është në dorën e Komunës së Prishtinës”, pohoi Fisnik Durguti nga Këshilli i Prindërve të gjimnazit “Sami Frashëri”.
Në lidhje me situatën e krijuar tash e shtatë muaj, Drejtoria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS.
Konkursi për drejtor të gjimnazit “Sami Frashëri” dhe për 37 drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të institucioneve parauniversitare është shpallur fillimisht në muajin prill dhe pas disa anulimesh dhe rishpalljesh, lista përfundimtare e kandidatëve të pranuar është publikuar më 6 tetor të vitit 2021.
Për këto konkurse, Inspektorati i Ministrisë së Arsimit ka ushtruar kallëzim penal ndaj Komunës së Prishtinës, sipas Inspektoratit, për mospërfshirje të përfaqësuesve të Ministrisë dhe të Kuvendit Komunal në panelin vlerësues. Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka treguar nëse ka marrë vendim për këtë lëndë.