Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, derisa ka bërë homazhe në Prekaz, ka thënë se falë sakrificës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot gëzohet liria dhe shteti i Kosovës.
Rama fillimisht bëri nderime te kulla e Jasharajve, ku edhe është pritur nga Rifat Jashari, e më pas vendosi kurora lule në Kompleksin Memorial në Prekaz.
“Sot kemi ardhur me komunën e Prishtinës me i respektuar dhe çmuar vlerat me të cilat na ka lënë familja Jashari, të festojmë paqen të cilën e kemi trashëguar si rezultat i sakrificës së madhe të familjes së tyre. Edhe ne si institucion por edhe për shkak të datave 5, 6 dhe 7 për shkak të luftës së UÇK-së ne sot gëzojmë lirin e kemi shtetin, andaj kemi respektin më të madh. Ju urojmë festat të gjithëve, dhe shpresojmë që në të ardhmen të luftojmë edhe më shumë për paqen në shtetin tonë, vendin tonë dhe për paqen në botë”, ka thënë ai.
Rama së bashku me përfaqësuesit tjerë të komunës, do të vazhdojë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prishtinë dhe Koshare.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.