Arbëri

“Fundjavë pune” në Pejë, ekipi i Ramës rezervon 30 dhoma në hotelin ku nata kushton 55 euro

Pas emërimit të drejtorëve nga Partia Demokratike, qeverisja e Prishtinës është zhvendosur mëngjesin e së shtunës në qytetin e Pejës. Këtë udhëtim, të cilësuar si fundjavë pune, kryetari Përparim Rama e ka vlerësuar si një ikje të nevojshme nga Prishtina, për të menduar më lirshëm. E për këtë janë rezervuar 30 dhoma për qëndrimin dyditor, në hotelin në të cilin një natë me mëngjes kushton 55 euro

Mëngjesin e së shtunës, zyrtarët komunalë të Prishtinës ia mësynë njërit prej hoteleve më luksoze në Dukagjin.

I prirë nga kryetari, Përparim Rama, ekipi qeverisës i kryeqytetit, ende i paformuar, udhëtoi drejt Pejës me arsyetimin që të punojë prej aty për Prishtinën.

Për këtë shkak u rezervuan 30 dhoma gjumi për qëndrimin dyditor, në hotelin ku një dhomë standarde për një natë kushton 55 euro, duke e përfshirë edhe shërbimin e mëngjesit.

Në çmimin për këto dhoma hyn edhe përdorimi i pishinave, xhakuzit, banjës turke, saunës dhe sallës së fitnesit.

Krejt këto shpenzime do të paguhen nga buxheti i komunës.

E për përzgjedhjen e Pejës, Rama u arsyetua se nuk janë gjetur hotele të lira në vendet e tjera.

“Kemi ardhur për një vikend pune. I kemi tani të gjithë drejtorët bashkë dhe kemi një vikend pune. Është një problem i madh t’i gjejmë 30 dhoma të lira, kemi problem në këtë aspekt. Mirë është kur është vikend t’i nxjerrim pak jashtë kontekstit që të mendojnë më lirshëm”, ka thënë Rama.

Ai ndërkaq ka deklaruar se nuk e di sesa ka kushtuar ky udhëtim.

“Po, nuk jam i sigurt sa, por do e raportojmë ditëve në vijim”, ka shtuar i pari i Prishtinës.

Porse opozita në Prishtinë e ka vlerësuar si të panevojshme ikjen nga kryeqyteti për punë.

Asamblisti i Vetëvendosjes, Berat Lahu, ka thënë se aktivitetet e tilla kanë filluar që të shfrytëzohen më shumë për relaksimin dhe argëtimin e zyrtarëve.

“Është shumë e panevojshme, e para që takimi të mbahet jashtë Komunës së Prishtinës dhe e dyta që për këtë të rezervohen edhe dhoma. Disi këto aktivitetet kanë filluar të shfrytëzohen më shumë për relaksim e argëtim të zyrtarëve, sesa si kushte të nevojshme për të kryer një punë të caktuar. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithmonë për atë që shpenzime të tilla të bëhen në minimumin e domosdoshëm, pavarësisht a është fjala për nivelin qendror apo lokal dhe këtë qasje duhet ta ketë edhe udhëheqja e re e Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar Lahu.

Ndryshe, një pagë fikse e drejtorëve komunalë është 506 euro dhe për ta nuk parashihen mëditje.

Buxheti i komunës së kryeqytetit parasheh mëditje brenda vendit vetëm për Drejtorinë e administratës, me një shumë prej 2 mijë eurosh.