Arbëri

12-vjeçarja që u sulmua nga qentë endacakë në Prishtinë kërkon zgjidhje nga Komuna

Më 14 janar një 12-vjeçare u sulmua nga qentë endacakë në Prishtinë dhe nga ta ka pësuar lëndime në disa pjesë të trupit. Mjaltina Kadriu thotë se pas rastit që i ndodhi, ka mbetur e traumatizuar.

Nga emisioni SOT në KTV, ajo ka bërë thirrje që rasti i saj të jetë shkas që institucionet të ndërmarrin masa ndaj qenve endacakë dhe ta zgjidhin problemin me ta tash e sa kohë.

“Kam qenë e traumatizuar, ndjehem e stresuar ende. Pasojat kanë qenë në dorë, hundë, dhëmbë dhe koka, por shpresoj se do të kalojë shpejt. Kërkoj nga kryetari Rama që ta mbajë premtimin për qentë endacakë. Shpresoj që shteti të marrë masa për këtë çështje dhe fatkeqësia që më ka ndodhur të ketë ndodhur që t’u hapen sytë institucioneve”, ka thënë ajo.

Nëna e 12-vjeçares, Merita Kadriu, ka treguar momentet kur ka ndodhur rasti dhe lëndimet që pësoi.

“E kemi lajmëruar policinë dhe policia e ka lajmëruar ndihmën e parë. Mjaltinën është dashtë që me pastru hundën, dhëmbët i ka në lëvizje, dora iu ka ënjtur, ka pasur dhimbje koke. Ka pasur problem me gjumin disa ditë. Mjaltina do të trajtohet ende me psikologë dhe do të shkojë në kontroll më tej”, ka thënë ajo.

Kadriu ka treguar se për banorët ku ajo jeton është shqetësim ndriçimi dhe se vazhdimisht e kanë frikën e qenve.

“Ne gjithmonë frikësohemi sepse në rrugën ku jetojmë, rruga Ismail Dumoshi, nuk kemi ndriçim aty dhe dalim me drita të telefonit. Kur dalim shikojmë fillimisht mos ka ndonjë qen, më shumë frikësohem për fëmijën”.

Kadriu ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të marrë masa.

“Shpresoj qe Komuna do të marrë masa. Kërkesa ime është që Komuna të marrë masa sa më shpejt dhe ta zgjidhë këtë problem”.