Arbëri

Prishtina mbushet me laura, MAPL e quan të kundërligjshme

Descriptive Text

Zhurmë e madhe u shkaktua gjatë javës së kaluar në lagjen “Bregu i Diellit”.

Vendosja e laurës në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” nga “Prishtina Parking” shkaktoi tensione te banorët, të cilët me protestën e tyre nuk lejuan funksionalizim të planit të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”.

Ata po kundërshtojnë bllokimin e rrugës përmes rampës, e cila është edhe mundësia e vetme për të hyrë në lagje.

Banorët thonë se ata nuk janë pyetur fare nëse janë pro kësaj laure, dhe se çmimi i parkingut po ju duket i lartë.

Sipas tyre, nga kjo laurë nuk përjashtohen as personat me nevoja të veçanta, dhe se mjetet emergjente nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për të kaluar nëpër atë hyrje.

Ndërmarrja “Prishtina Parking” funksionon në bazë të një rregulloreje që është miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Por në Rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës nuk përmendet në asnjë rresht fjala laurë e as kufizim i parkingjeve siç po bëhet në krejt qytetin.

Mbikëqyrësi i punëve të Komunës së Prishtinës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal thotë se kjo që po e bën Prishtina nuk ka bazë ligjore.

“Ministria e Administrimi të Pushtetit Lokal sqaron se, Ligji Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale nuk e parasheh çështjen vendosjes së laurave nëpër lagje të kryeqytetit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Drejtori ekzekutiv i “Prishtina Parking”, thotë se me rregulloren e miratuar, ata kanë kompetencë të vendosin formën e parkingjeve.

Restelica e quan këtë çështje politike dhe se qytetarët po dëshirojnë të përfitojnë nga parkingjet publike.

Megjithatë, Restelica dhe ndërmarrja që udhëheq nuk kanë vepruar në bazë të rregullores, e cila në nenin 5 e sqaron se si ndahen parkingjet publike.

Aty ndarja bëhet me ngjyrë, ku e kaltra paraqet parking për banorët që kanë paguar derisa parkingjet me ngjyrë portokalli janë për veturat që qëndrojnë shkurtë.