Arbëri

Ndalohen punimet në një mbindërtim në “Bregun e Diellit”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është ndaluar punimet në një mbindërtim në lagjen “Bregu i Diellit”.

Ai ka thënë se me të marrë informatat për mbindërtim menjëherë janë marrë masat e nevojshme. Ai ka thënë se dënimet për ndërtime pa leje do të jenë të mëdha.

“Sot, pas raportimit nga disa banorë të shqetësuar, për një mbindërtim në lagjen Bregu i Diellit, menjëherë kemi ndërmarrë masat e nevojshme për të ndalur ndërtimin. Inspeksioni ka ndalur punimet e paligjshme, dhe ju siguroj se dënimet për këto raste do të jenë të pa falshme. Ndërtimet e tilla nuk do të lejohen në asnjë rrethanë. I inkurajojmë dhe po ashtu ftojmë qytetarët që rastet e tilla të raportohen”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ndërkohë nga Inspektorati i Komunës, është bërë e ditur se projekti i mbindërtimit ishte ndaluar në qershor të vitit të kaluar nga Drejtoria e Urbanizmit, që kishte refuzuar lejen. Mirëpo, ishte ushtruar ankesë në Ministrinë e Mjedisit ndaj vendimit të Drejtorisë. Por deri sot nuk ka pasur lëvizje në vazhdim të punimeve në atë mbindërtim.

Inspektorët sot kanë ndërprerë tentimin për të vendosur materiale në kulm për të kompletuar mbindërtimin, ndërsa është njoftuar se ka pasur edhe kërcënime nga pronarët e banesës, ku është ftuar Policia.