Arbëri

Edhe 10 ditë afat për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës

Descriptive Text

Sipas afatit kohor, kanë mbetur edhe 10 ditë për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Mbledhja për këtë duhet të mbahet jo më larg se 30 ditë pas betimit të anëtarëve të Kuvendit Komunal dhe kryetarit të komunës.

6 janari është dita e fundit për të zgjedhur kryesuesin e Kuvendit Komunal. Në të kundërtën, Asambleja shkon në zgjedhje të reja.

Në PDK kanë thënë se kanë ofertë nga kryetari, Përparim Rama, për bashkëqeverisje.

Zyrtarë të saj në nivelin lokal kanë thënë se janë duke e shqyrtuar atë.

Si pasojë e kësaj ende nuk është thirrur as mbledhja e Kuvendit Komunal, në të cilin pritet të zgjidhjet edhe kryesuesi i saj.

Përderisa data 6 janar po afrohet, Vetëvendosje e cila ka numrin më të madh të asamblistëve, insiston se kryesuesi duhet të jetë nga partia e tyre.

Asamblisti, Berat Lahu, thotë se e mira e demokracisë është që kryesuesi të vijë nga grupimi më i madh.

“Vetëvendosje përbën numrin më të madh të asamblistëve dhe kjo i bie se qytetarët e Komunës së Prishtinës i kanë dhënë besimin Vetëvendosjes që të jetë shumicë në këtë organ. Rrjedhimisht, logjika thotë dhe e mira e demokracisë është që edhe kryesuesi duhet të vijë nga grupimi më i madh, mirëpo kjo jo gjithmonë ndodh në Kosovë dhe me këtë rast ne po presim se çfarë do të vendosë ekzekutivi i ri i paformuar ende dhe pastaj do të shohim. Por, për mendimin tim kryesuesi do të duhej të ishte nga Vetëvendosje”, ka thënë Lahu.

Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka për synim të marrë kryesuesin e Kuvendit, përderisa kërkon që ai të jetë një figurë sa më transparente.

Sipas asamblistit, Leutrim Retkoceri, PDK-ja do të përfaqësojë qytetarin e Prishtinës.

“Ne kërkojmë që kryesuesi të jetë një figurë e cila do të bëjë Kuvendin Komunal të hapur, transparent dhe të thërrasë seanca në të mirë dhe në dobi të Prishtinës. Ne si PDK do ta luajmë rolin e përfaqësuesit të qytetarit të Prishtinës”, është shprehur Retkoceri.

Ndryshe, inaugurimi i kryetarit të Prishtinës dhe i asamblistëve është bërë më 7 dhjetor.