Arbëri

“Roli i planifikimit urban në migrim” thotë se vendet e rajonit kanë problemet e njëjta

Drejtoresha ekzekutive e Institutit Ekonomiks, Majlinda Aliu, ka thënë se ideja kryesore e projektit “Roli i planifikimit urban në mërgim” është që të krijohet pasqyrë më e gjerë se si po ndodhë migrimi në Ballkanin Perëndimorë.

Sipas saj, migrimi si proces nuk është analizuar nga perspektiva e cilësisë së jetës në kryeqytete.

Aliu në 038 në KTV ka thënë se ky projekt ka trajtuar gjashtë segmente apo tema kryesore, ku ekspertë të urbanizimit u kanë dhënë përgjigje temave që janë vendosur.

Sipas saj ndër të tjera ka qenë se si ka ndikuar sistemi politik në migrim.

“E bukura është që kur lexohet ky raport është se të gjitha vendet në rajon kanë probleme pothuajse shumë të ngjashme. Gjithashtu është analizuar edhe gjendja. Trajtohet edhe aspekti demografik, siç janë dyndjet e popullsisë. Për shembull Prishtina dhe Tirana kanë pothuajse të njëjtën gjendje sa i përket dyndjeve, të dyja pothuajse e kanë dyndje rapide”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se raporti është publikuar në katër gjuhë, dhe ideja bazë është që t’u dorëzohet kryetarëve të kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor. Sipas saj duhet të nxitet tema e migrimit.

Ajo ka thënë se përmes kësaj synohet që të nxitet edhe bashkëpunimi rajonal, pasi vendet kanë pothuajse probleme të njëjta.

Valon Gërmizaj, ekspert i planifikimit urban ka thënë se ka rritje të banorëve në kryeqytet.

Sipas tij, në aspektin e migrimit është një faktor interesant sepse në vitin 2011 kanë qenë mbi 170 mijë banorë rezidente kurse në vitin 1991 janë mbi 163 mijë.

Gërmizaj thotë se nuk është bërë analizë për komunitetin serb që ka jetuar në Prishtinë porse nuk jetojnë më.

“Sipas disa hulumtimeve që janë bërë supozohet që janë rreth 330 mijë banorë në Prishtinë. Rezultatet preliminare tregojnë se ka rritje të konsiderueshme të banorëve në kryeqytet. Sipas vlerësimit që është bërë nënkupton që Prishtina do t’i ketë mbi 600 mijë banorë. Në të gjitha shtetet evropiane niveli qendror e bën një plan hapësinor”, ka thënë ai.