Arbëri

Pas 40 vjetëve, komuna ua ndryshon numrat banesave pa paralajmërim

Që nga numrat në hyrje të ndërtesës, numrat në zile e faturat e ndryshme do të detyrohen t’i ndryshojnë.

I gjithë ky telash iu ka dalë banorëve të ndërtesës “A2” në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, pasi që pas 40 vjetëve identifikimi me këtë adresë papritur kanë vënë re ndryshimin e emrit të ndërtesës dhe numrit në banesat e tyre.

Krahas numrave të rinj po vazhdojnë të qëndrojnë ata të vjetrit.

“Që një javë ka që më është ndërruar numri tek dera. E kam numrin 48 tash është numri 52, na ka ndërruar dikush e nuk po e di kush. Unë sa isha në komunë, të nxjerri një dokument për pronë dhe higjienë dhe e nxjerra me numrin që ekziston me numrin 48. Nuk ka ndryshim, a këtu na kanë ardhur disa numra të ri jemi pa koment, kush qysh tek nuk e dimë. Nëse vjen me postë dokumentet kanë me na humbë. Edhe familjarët e mi e dinë që numri është 48 dhe kur të i mëshojnë ziles do ju dalë një person tjetër. Ndërsa derën e jashtme e kam 52”, ka deklaruar banori Ramë Ajeti.

E Frank Karaqi thotë se do të kenë telashe të mëdha me letrat nga posta.

“Çdo ndryshim që bëhet pa paralajmërim nuk është i rregullt. Problemi më i madh është ndryshimi i numrave me adresa me kontrata. Në të gjitha institucionet janë numrat e banesave, tash kanë ardhur me të rejën. Kemi poshtë edhe kutitë postare dhe numrat janë në bazë të asaj që i kemi çdo herë. Vjen një postier i mëshon ziles së huaj ,nëse kanë ide ose kanë bërë gabim”, ka thënë Karaqi.

Albian Ismaili shqetësohet se në të ardhmen do të kenë probleme të mëdha për shkak të dokumenteve me këtë ndryshim të papritur.

“Kjo banesë është lëshuar për përdorim në viti 1973, dhe që nga atëherë secila banesë e ka numrin që asnjëherë nuk është ndërruar. Para viteve të 1990 rruga është njohur si rruga Ramiz Sadiku dhe ndërtesa është njohur si A2, pastaj është ndërruar Agim Ramadani nga emri ‘Cara Dushana’ që ka qenë para luftë. Ne si banorë jemi konfuz për shkak se nuk kemi asnjë njoftim zyrtar se çfarë po ndodh. Të gjitha faturat i kemi me numrat e vjetër po qoftë se ndërrohen numrat do bëhet një kaos”, ka shtuar banori Albian Ismaili.

Por Komuna e Prishtinës thotë se ky ndryshim vjen si pasojë e zbatimit të ligjit për sistemimin e adresave, ku krahas emërtimit të rrugëve duhet bërë edhe numërtimin e objekteve.

“Ligji për sistemin e adresave e vitin 2021, është ndërmarrë që emrat e rrugëve duhet t përfundojnë në secilën lagje. Fillon numërtimi i adresave fillon nga ana e majtë, duke ndjekur akrepat e orës. Këtu ka dalë konfuzioni. Komuna e Prishtinës ka shpallur tenderimin. Është marrë vendimi që për secilën lagje dhe ndërtesë të bëhen adresat e reja. Në geoportal do jenë të gjitha adresat e sakta”, ka deklaruar Veton Krasniqi nga Drejtoria e Urbanizmit.

Sipas tyre, me vendosjen e adresave të reja në geoportal, secili institucion duhet të bazohet në ato adresa.

“Komuna e Prishtinës është pjesë që merret me urbanizmin. Qëllimi ka qenë që secila adresë të pasohet me numër të letërnjoftimit dhe të dihet me emër dhe mbiemër. Është larguar ajo pjesë për momentin. Që secili prej organeve t marrin adresën prej komunës së Prishtinës, për momentin kur shpallen në sistemin geoportal duhet secili institucion të marrin këtu adresën”, ka shtuar Krasniqi.

Ky projekt është financuar nga Komuna e Prishtinës.

Në Agjencinë kadastrale kanë thënë se ky proces është përcjellë me probleme për shkak se numërtimi në objekte kolektive duhet të nisë nga e majta në të djathtë në secilin kat derisa në kryeqytet ka pasur rast kur është bërë nga e djathta në të majtë duke shkaktuar ngatërresa e ndryshim të numrave.