Arbëri

Rama pas fitores: Do ta ftoj Kurtin në zyrë për të folur për planet e kryeqytetit

Kandidati që doli fitues nga rezultatet preliminare të KQZ-së në Prishtinë, Përparim Rama, ka thënë se ai është i hapur për bashkëpunim me Qeverinë dhe do ta ftojë kryeministrin Albin Kurti në zyrë për të folur për planet e kryeqytetit.

“Patjetër do të kemi bashkëpunimin të plotë me Vitia. Ai më ka thirrur dhe më ka uruar fitoren dhe çmoj shumë atë. Ka thënë që do të jetë bashkëpunues me atë që duan qytetarët të Prishtinës. Do të kemi një punë fantastike bashkë me Qeverinë. Do ta ftoj Kurti që të jetë mysafir në komunë dhe të bashkëbisedojmë për planet e mëdha që kemi”, deklaroi Rama për Euronews Albania.

Kandidati i LDK-së nënvizoi se “luftën” do ta ketë me kaosin urban e jo kundër njëri-tjetrit.

“Luftën e kam me kaosin urban. Unë e kam cekur që nga fillimi dhe e kam parë këtë garë përtej partive politike, për bashkim të njerëzve të mirë, të njerëzve profesionistë. Luftën e kemi kundër kaosit urban jo kundër njeri-tjetrit. Kemi jetëshkrime të ndryshme dhe duhet që pasi një pushimi disa ditor t’i përvishemi punës”, deklaroi ai.

Ai u shpreh se puna e parë që do të bëjë është që të mbledhë stafin e komunës dhe bisedojmë për misionin e tyre për të transformuar rrënjësisht kryeqytetin, Prishtinën.

Teksa e cilësoi veten dhe punonjësit e komunës si shërbëtorë të kryeqytetit, Rama shtoi se puna e parë e rëndësishme është lirimi i trotuareve që duhet të ndodhë menjëherë.