Ndërmarrja Publike “Termokos” ka filluar furnizimin me ngrohje.
Sipas njoftimit nga ngrohtorja, fillimin e furnizimit me ngrohje e ka nisur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka uruar për një sezon të mbarë ngrohës.
“Unë gjithmonë e kam përmendur ‘Termokos’-in si një storie suksesi”, ka thënë Ahmeti optimist për zhvillimin e mëtutjeshëm të projekteve dhe të ndërmarrjes.
Siç bëhet e ditur në njoftim, kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., Arsim Fetahu ka falënderuar Ahmetin për mbështetjen e vazhdueshme, që ka ofruar për ndërmarrjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer përgjatë këtyre viteve.
Pas nënshkrimit të aneks kontratës për furnizim me energji me KEK-un, NP "Termokos" ka filluar sot të marrë sasitë e para të energjisë. Gradualisht energjia termike do të nisë të shpërndahet në rrjetin e ngrohjes, ndërsa efekti i saj pritet të vërehet nesër në orët e mëngjesit tek konsumatorët.
“Bazuar në Rregulloren për kushtet e përgjithshme të furnizimit me energji të ZRRE-së, përkatësisht nenit 6 të saj, pikës 2 dhe 3, në raste si këto kur temperaturat e ajrit janë më të ulëta se 12 gradë Celzius, atëherë mund të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje. Sado që, ky është një furnizim i jashtëzakonshëm me ngrohje, dhe si rrjedhojë edhe fillim i parakohshëm i sezonit ngrohës 2021/2022, shpresojmë për një sezonë të mbarë dhe të suksesshëm ngrohës”, thuhet në njoftim.