Arbëri

Projektet milionëshe që parasheh “Prishtina 2028”

3 milionë euro do të jetë buxheti për ndërtimin e rrugës A sipas kornizës zhvillimore, e cila tashmë është paraqitur në kuadër të hartimit të planit zhvillimor “Prishtina 2028”.

Por, në këtë kornizë nuk parashihet ndërtimi i shtratit të lumit përkrah kësaj rruge, ashtu siç pati deklaruar edhe drejtori për Investime Kapitale, Gëzim Mehmeti.

5.5 milionë euro janë paraparë edhe për ndërtimin e tregut të ri, i cili nuk arriti të realizohej brenda mandateve të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, megjithëse ishte një nga 100 zotimet e tij.

24 milionë euro për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes dhe 11 mijë euro për vendosjen e matësve të energjisë së ngrohjes, janë disa nga projektet më të mëdha që parasheh plani zhvillimor komunal “Prishtina 2028”, i cili është në hartim e sipër.

Sipas kornizës zhvillimore, e cila tashmë është bërë e ditur në Prishtinë po planifikohen edhe shumë projekte të tjera milionëshe.

Njëri nga këto është edhe ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, që parashihet të përfundojë në vitin 2025, e që është vlerësuar se do të kushtojë 14.3 milionë euro.

Investime parashihet të bëhen edhe për zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit për ndriçim publik në vlerë prej 3 milionë e 129 mijë eurosh.

Sipas kornizës zhvillimore janë paraparë edhe 1 milion euro për ndërtimin e strehimores për personat LGBTI, e cila është paraparë të përfundojë deri në vitin e ardhshëm, ndërsa ndërtimi i shtëpisë së re të pleqve për qëndrim të përhershëm planifikohet të ndërtohet më 2022-2023.

Ndërtimi i strehimores së përkohshme për persona të pastrehë dhe ndërtimi i qendrës për qëndrim ditor për fëmijët me nevoja të veçanta është planifikuar për vite më vonë.

Nuk janë caktuar shumat e këtyre projekteve.

Komuna e Prishtinës do të investojë një milion euro edhe në shtimin e hapësirave për varreza publike.

Ndërsa prej vitit 2025 është paraparë edhe themelimi i Kopshtit Botanik dhe i Kopshtit Zoologjik, të cilat së bashku do t’i kushtojnë Prishtinës 13 milionë euro.

Është planifikuar të ndërtohet edhe një fushë e minigolfit, që do të kushtojë 300 mijë euro.

Në Parkun e Gërmisë po planifikohet edhe ndërtimi i “Parkut të Aventurave”, i cili vazhdimisht po kundërshtohet nga organizata për mbrojtjen e natyrës.