Arbëri

Hajdari: Nuk do të ketë ndërtime brenda parkut të Gërmisë

Drejtoresha e Parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari, ka thënë se Parku i Gërmisë është peizazh i mbrojtur me ligj dhe se brenda hapësirës së tij nuk do të lejohen ndërtime.

Hajdari ka thënë në “038” të KTV-së se në planin Zhvillimor Komunal janë paraparë disa ndërtime në këtë hapësirë, mirëpo ka shtuar se drejtoria që ajo udhëheq ka dërguar vërejtjet e saj dhe se ka kërkuar që ato të mos përfshihen në këtë plan zhvillimor.

“Komuna e Prishtinës është duke hartuar planin Zhvillimor Komunal. Ende jemi vetëm në një draft dhe jemi duke shkuar drejt fundit. Sipas informacioneve që kemi Mini-golfi është propozuar nga Drejtoria e Sportit, për brenda hapësirës së Pishinës së Gërmisë. Nuk është vetëm projekti i Mini-Golfit, ka pasur edhe projektet të tjera që janë propozuar nga drejtoritë tjera e që kanë qenë kryesisht brenda peizazhit të mbrojtur të Gërmisë. Në këtë draft-dokument kemi gjetur edhe Parkun e Aventurave, një projekt goxha problematik i cili gjendet edhe në proces gjyqësor e për të cilin ne si drejtori kemi dërguar vërejtjet tona dhe kemi kërkuar që i njëjti të mos përfshihet në këtë plan zhvillimor pasi drejtoritë e ndryshme po propozojnë projekte të ndryshme për Parkun e Gërmisë, e i njëjti është peizazh i mbrojtur dhe duhet pasur parasysh se shumë akterë janë të involvuar dhe obligohemi që të respektojmë Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës”, ka thënë Hajdari.

Sipas saj, Parku i Gërmisë ka një hapësirë prej 1,946 hektarësh dhe se brenda peizazhit të tij nuk do të ketë leje ndërtimi.

“Gërmia është i vetmi park natyral me masë drusore natyrore, dhe si i tillë duhet të mbrohet. Për këtë arsye un si drejtoreshë e Parqeve nuk mund të premtoj diçka tjetër dhe nuk do të ketë diçka tjetër. Zona e Parkut është peizazh i mbrojtur, Ligji për Mbrojtjen e Natyrës obligon disa kushte të respektohen atje duke përfshirë edhe mosndërtimin e shtëpive të banimit dhe lagjeve luksoze qysh jemi mësuar në zonat e gjelbra. Për pjesën që është e përfshirë brenda peizazhi të mbrojtur nuk ka mundësi ndërtimi”, është shprehur Hajdari.

Sa i përket premtimit elektoral të kryetarit Shpend Ahmeti për krijimin e disa parqeve në Prishtinë gjatë mandatit të tij, Hajdari ka thënë se disa janë realizuar e disa kanë ngecur për shkak të mungesës së hapësirës publike ose për shkak të telasheve rreth pronës.

“Vlen të theksohet se Parku në Lagjen “Mati 1” ende nuk kemi një vendim prej gjykatës, ka filluar të ndërtohet por janë stopuar ndërtimet për shkak të problemeve pronësore. Pjesa ku kemi arritur të realizojmë parqe është realizimi i Parkut të Arbërisë që shtrihet në një sipërfaqe prej 2,5 hektarëve që më herët aty ka qenë një deponi e mbeturinave, sot është një prej parqeve më të bukura, që lidh dy zona të qytetit, zonën e Arbërisë dhe atë të Kodrës së Trimave”, ka thënë drejtoresha Hajdari.