Arbëri

Komuna e Prishtinës kërkon që punimet në “Muharrem Fejza” të kryhen brenda 15 ditëve

Komuna e Prishtinës u ka kërkuar operatorëve që janë duke kryer punimet në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, që t’i përfundojnë ato brenda 15 ditëve të ardhshme.

Drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, u takua të enjten me operatorët ekonomik të cilët janë duke kryer punime në këtë rrugë, në lagjen Mati 1, në Prishtinë.

Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi rreth punëve të mbetura në mënyrë që Komuna të vazhdojë me asfaltimin e rrugës.

“Në takim ishin përfaqësuesit e KEDS, Termokos, Ipko, Post Telekomit të Kosovës, Kujtesës, Art Motion si dhe operatorët që janë duke kryer punimet në rrugën Muharrem Fejza. Kërkesa e Komunës është që punimet dhe ndërhyrjet e nevojshme të përfundohen brenda 15 ditëve të ardhshme”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Punimet në këtë rrugë kanë nisur në fund të muajit prill të këtij viti. Që atëherë, banorët rreth kësaj rruge shumë të frekuentuar janë ankuar se po përballen me probleme të mëdha të qarkullimit.