Përmes disa fotografive të publikuara, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka shfaqur telashet me të cilat përballen punëtorët e kësaj ndërmarrjeje në zhbllokimin e sistemit të rrjetit të ujërave të zeza në kryeqytet.
Të premten, KRU “Prishtina” ka publikuar dy fotografi në të cilat shihen gjësende të shumta të nxjerra nga pusetat në rrugën “Bulevardi i Dëshmorëve” në Prishtinë.
“Përveç që duhet intervenuar me doemos në sistemin e rrjetit të ujërave të zeza, zhbllokime e pastrime, vështirësitë që hasin ekipet e mirëmbajtjes janë të panumërta, sa që pavarësisht suksesit në zgjidhjen e problemit në kolektorë e puseta, koha e zhbllokimit tejzgjatet. Po ashtu, arsyet janë të panumërta filluar nga papërgjegjësia e faktorit njeri, hedhja e gjësendeve të ngurta e të lëngëta, peshat e rënda me mbeturina të ngurta, etj”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit.
Në fund të reagimit, kjo ndërmarrje ka kërkuar kujdes të shtuar lidhur me sistemin e rrjetit të kanalizimit.
