Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka lansuar platformën e faturës online, pa pasur nevojë për pranim fizik të faturës.
Sipas njoftimi, tani faturat mund të paguhen me e-banking, në mënyrë më të shpejtë dhe sigurtë.
“Brenda kartelës tuaj online, mund të gjeni edhe kodin e faturës, përmes të cilit mund të bëni pagesa me e – banking , shpejtë dhe sigurt. Ju inkurajojmë të kyçeni dhe të regjistroheni si konsumatorë të KRU ” Prishtina ”. Aty mund të shihni kartelën tuaj financiare, shpenzimin e ujit në metër kub, totalin e shpenzimit dhe faturimit, pagesat tuaja paraprake dhe të tanishme, numrin referent për atë cikël të faturimit e cila iu shërben për pagesë me e – banking, etj”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.
Ujësjellësi bën të ditur se ata që hasin në ndonjë parregullësi në këtë drejtim, inkurajohen që t’i prezantojnë ato në zyret e kompanisë.
“Ju të cilët mund të hasni në ndonjë parregullsi në kartelën tuaj, psh. nëse keni realizuar ndonjë pagesë online përmes bankave komerciale apo institucioneve mikrofinanciare ( si shkak i mungesës së ofrimit të informatave gjatë procesit të pagesës, nga ana juaj ) dhe nuk e shihni që është shkarkuar në kartelë, ju inkurajojmë që të prezantoni te zyret e KRU ” Prishtina” sh.a. dëshmitë mbi pagesën e realizuar dhe borxhi juaj do të shlyhet nga sistemi. Kemi stafin e përkushtuar të cilët janë në shërbimin tuaj, lidhur me këtë çështje. Me të gjitha kapacitetet e punës po mundohemi që çdo ditë të jemi sa më afër kërkesave dhe ankesave tuaja karshi shërbimeve për ujësjellës e kanalizim”, përfundon njoftimi.