Arbëri

Shkolla “Faik Konica” nis me orë shtesë mësimore

Descriptive Text

Në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë që nga e mërkura nxënësit kanë nisur me orë mësimore shtesë në mënyrë që të përgatiten më mirë për Testin e Arritshmërisë. Drejtoresha e shkollës, Jehona Oruçi, ka treguar për KOHËN rreth organizimit të orëve plotësuese dhe shtuese për nxënësit e kësaj shkolle.

“Jemi duke organizuar edhe mësim mbështetës për klasat e 9-ta që t’i ndihmojmë nxënësit për përgatitjen rreth Testit të Arritshmërisë”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se këto orë shtuese po mbahen në formë virtuale.

Përveç mësimit mbështetës, në “Faik Konica” po mbahen edhe orët plotësuese për nxënësit të cilët, sipas mësimdhënësve, nuk i kanë arritur rezultatet e kërkuara.

“Për ciklin e ulët, pra klasa 1-5, mbahet mësim plotësues në lëndën gjuhë amtare dhe matematikë. Ndërsa, për ciklin e lartë 6-9 mbahen në lëndët gjuhë amtare, matematikë dhe në shkencat e natyrës”, ka shpjeguar Oruçi.

Oruçi ka treguar se orët plotësuese dhe shtuese kanë filluar që të aplikohen që nga dita e djeshme, më 5 maj.

Ndërkohë, të enjten gjatë ditës Drejtoria e Arsimit në kryeqytet ka vendosur për ndryshim të vitit shkollor për të zëvendësuar ditët e humbura të mësimit më herët gjatë vitit shkollor.

Në anën tjetër, ministrja Arbërie Nagavci sot njoftoi se Testi i Arritshmërisë do të mbahet në objekte shkollore, me nga 15 nxënës për klasë.

Viti i fundit shkollor kryesisht ka shkuar në mësim online për shkak të pandemisë së COVID-19.