Arbëri

Komuna ia lë fajin pandemisë për vonesën në rimbursim të bizneseve të Prishtinë

Mbi pesë muaj nga aplikimi, vetëm një e katërta e bizneseve përfituese në komunën e Prishtinës i kanë marrë mjetet prej fondit 5 milionësh, i ndarë nga komuna për t’iu ndihmuar bizneseve lokale të prekura nga pandemia.

Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë për KOHËN se nuk mund të japin afate kohore se kur do të shpërndahen këto mjete tek bizneset që kanë përfituar.

Drejtoresha e Drejtorisë së Financave në Komunën e Prishtinës, Valbona Makolli, ka thënë se shpërndarja e tyre po ngec te infektimi i stafit esencial i cili merret me procedimin e pagesave, që rrjedhimisht po e bën ngadalëson procesin.

“Afate kohore nuk mundemi me dhënë, sepse ka shume pagesa në pritje dhe po varemi nga gjendja pandemike që është në komunë dhe në gjithë vendin (fjalën e kam ne infektimin e stafit qe eshë esencial për procedimin e pagesave)”, ka thënë ajo.

Makolli shpreson se të hyrat e komunës të barten nga Ministria e Financave javën e ardhshme, e pas saj, ajo ka thënë se do të bëhet procedimi i mjeteve te bizneset.

“Mjetet janë ndarë nga të hyrat vetanake të komunës dhe jemi në pritje së bartjes e këtyre të hyrave të vitit 2020 në vitin 2021 nga MF. Diku rreth 1000 biznese i kanë marrë mjetet. Shpresoj që bartja të bëhet javën e ardhshme nga MF, dhe pas alokimit të mjeteve ne si Drejtori e Financave do të fillojmë procedimin e tyre duke bërë maksimalen që kemi mundësi për kryerjen e obligimeve ndaj bizneseve”, ka shtuar Makolli.

Komuna e Prishtinës nga nëntori i vitit të kaluar ka ndarë një fond prej 5 milionë eurosh për t’i ndihmuar bizneset që kanë pësuar humbje për shkak të pandemisë.