Periudhat e sezoneve të nxehta dhe ato kur nxënësit ishin në pushime nga mësimet mbushnin 13 shtëpizat nga druri në Parkun e Gërmisë.
Në këtë hapësirë mbizotëronte një atmosferë më ndryshe, me ngjyra, me të qeshura, e me lojëra të shumta të cilat zhvilloheshin nga fëmijët të cilët vinin dhe bënin kamping. Mirëpo një situatë e ngjashme nuk është e njëjta për gati tash e 2 vjet.
Pandemia ndikoi që edhe këto shtëpiza të pushonin nga zhurma dhe të qeshurat e kampistëve të vegjël.
Në këto 13 shtëpiza mund të qëndrojnë 52 kampistë, e secila prej tyre ka nivel të lartë të higjienës dhe mirëmbajtjes për të cilat zakonisht kujdesen punonjësit e “Hortikulturës”.
E organizata joqeveritare “Toka” shumë prej aktiviteteve që mban i zhvillon në po këto hapësira. Por vitin që lamë pas në pamundësi të kampingut, ata e bënë virtual.
Se sa shumë po u mungojnë këto aktivitete, e kanë shprehur edhe fëmijët që dikur ishin pjesë e organizimit, e ka edhe prej tyre që e kanë përjetuar vetëm atë virtual.
Për shkak ndryshimit të masave nga Qeveria, ende ka mbetur në pikëpyetje se a do të mund të zhvillohen kampingjet në këto shtëpiza e po ashtu të rikthehen edhe aktivitetet e vjetra.