Arbëri

Kërkohen investitorë për shkallë lëvizëse e lokale në mbikalim

Për të u shpenzuan 180 mijë euro por infrastruktura e tij asnjëherë nuk u finalizua.

Mbikalimi në rrugën “Fehmi Lladrovci” vazhdon të mos e ketë liftin i cili mundëson kalimin nga njëra anë në tjetrën për personat me nevoja të veçanta apo të moshuarit.

Që nga vendosja e pengesave, numri i shfrytëzuesve është rritur. Ata thonë se mbikalimi kundërmon dhe nuk ka pastërtinë e duhur.

“Tani nuk ishte gjendja shumë e keqe si është zakonisht, nuk pat shumë mbeturinat. Ka shkallë normal. Mendoj se të rinjtë e përdorin më shumë. Është funksionale për të mos shkuar deri aty lart te semafori, kalon këtu”, tha Vanesa Fetahu.

Banorja Regina Mataj tha se: “Gjendja në të kaluarën ka qenë më keq tani e kishin pastru. Mbikalimin e kisha sugjeru ma sigurt kur ka shumë qarkullim. Për pleq është më rëndë se ka shumë shkallë”.

Komuna kishte premtuar disa herë se do ta funksionalizojnë këtë mbikalim, por në vitin 2019, ia ka kaluar në menaxhim Ndërmarrjes Publike Banesore.

Megjithëse janë në fazën fillestare, NPB ka bërë një plan se si mund të rifunksionalizohet ai.

Megjithëse ekziston vendi për lift, ata kanë menduar të vendosin shkallë lëvizjes pasi do jenë më praktike.

Ndërsa, vendosja e disa lokaleve duke e kthyer atë në një qendër të vogël tregtare është mundësia më e mirë e funksionalizimit të plotë.

Për këtë ka folur zyrtarja për media në NPB, Rajmonda Ahmetaj.

“Fillimisht është bërë pastrimi dhe një renovim i mbikalimit që ai të mund të shfrytëzohet edhe kështu siç është tani. Mirëpo ka plane që të kthehet në një qendër të vogël tregtare si nënkalimi afër KEDS-it, ku do të ketë lokale ndërsa mbi të të mund të vendosen marketingu për kompani të ndryshme. Kjo është në fazën fillestare dhe është vetëm një plan që nuk mund t’ia fillojë pa pasur fonde për to”, tha Ahmetaj.

Një investim i tillë do të kushtonte rreth 300 mijë euro, e në mungesë të kostove NPB nuk mund ta realizojë atë. Për këtë ata janë duke shikuar për investitor.

“Për funksionalizimin e këtij mbikalimi jemi duke kërkuar mjete në formë të investimit të cilat ende nuk janë siguruar, ndërsa shuma e cila parashihet për rifunksionalzimin e këtij mbikalimi është 300 mijë euro”, tha ajo.

Këto ditë, NPB ka bërë disa ndryshime të vogla si: sanimi i dyshemesë që ishte vjetërsuar; rregullimi i ndriçimit dhe pastrimi i mbikalimit.