Metro

Hajdari: Platoja e lagjes “Dardania” në Prishtinë do të rinovohet e do t’i shtohet gjelbërimi

 

Drejtoresha e Parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari, ka njoftuar se ka filluar sezoni i mbjelljes së luleve më 7 e 8 mars, ndërsa ka thënë se çdo vit në gjithë Prishtinën po rritet numri i luleve sezonale për 200 mijë. Këtë vit do të jenë afro 1.2 milionë lule sezonale në gjithë Prishtinën. 

“Sezoni i mbjellave ka filluar më 7 dhe 8 mars, në ditën e mësuesit dhe ditën e gruas, mesazh falënderimi për dy kategorinë që bëjnë shumë për shoqërinë tonë. Mbjellja bëhet në zonat që mbillen çdo vit, kemi filluar me rrugët, sheshet e parqet e Prishtinës, të ketë më shumë ngjyra e gjallëri, përgjatë kohës kur fillojnë të ngrohen temperaturat. Krahas mbjelljes në qytet, bëjmë shpërndarjen e luleve sezonale edhe nëpër shkolla në Prishtinë dhe në institucionet e QMF-së. Me rritjen urbane duhet të dalim edhe nëpër largje të reja. Si shembull në Rrugën B, një pjesë të Rrugës C, në Emshir, e kudo që po krijohen lagje të reja. Sasia e luleve që mbillen po rritet çdo vit për 200 mijë, varësisht nga rritja e numrit të lagjeve. Deri vitin e kaluar kanë qenë 1 milion lule të mbjella, e sivjet 1.2 milionë, 200 mijë më shumë për shkak të zonave që janë shtuar”, ka thënë Hajdari në emisionin Sot të KTV-së.