Arbëri

Komuna e Prishtinës akuzohet se po kopjon planin zhvillimor nga Mitrovica

Descriptive Text

Që nga viti 2018, Komuna e Prishtinës ka mbetur në fazën e parë të hartimit të planit zhvillimor ‘Prishtina 2020-2028’. Gjatë kësaj kohe janë mbajtur vetëm dy takime konsultative me qytetarët dhe organizatat që janë të rëndësishme në përfshirjen e hartimit të këtij plani.

Me takime të pakta dhe dhënie jo të duhur të informacioneve, organizata joqeveritare “Qytetari Aktiv”, po vlerëson se ky hartim po bëhet në heshtje.

Flutra Zymi nga kjo organizatë thotë se nga dhjetori po kërkojnë qasje në dokumente, mirëpo nuk kanë marrë ndonjë informatë shtesë nga Komuna e Prishtinës apo Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

“Komuna ka bërë një gabim të madh, në bazë të Ligjit që e përcakton se duhet të ketë një lloj fushate për planin zhvillimor ku njoftohen qytetarët, është si një lloj zgjedhje ku shkojnë lagje për lagje në zona të ndryshme, pra Komuna këtu e ka bërë gabimin e parë, duhet të bëhet një fushatë që sa më shumë të involvohen... Qe dy vjet është në proces ky plan dhe shkoni në ueb-faqe dhe nuk gjen asnjë dokument. Duhet të jenë më të qasshëm, sepse mua, si qytetare, më intereson se kush po ma planifikon të ardhmen time”, ka thënë ajo.

Ndërsa, për debatin e janarit ajo thotë se nuk kanë qenë fare të njoftuar dhe se aty ka ndodhur diçka mjaft shqetësuese.

“Është bërë edhe një debat tjetër në janar me OJQ, rastësisht e kam kuptuar nga dikush tjetër, sepse nuk ka qenë në ueb-online të Prishtinës dhe kur i kam shkruar Komunës, ma kanë dërguar vetëm linkun. Prapë kanë qenë vetëm dy organizata jo-qeveritare të shoqërisë civile që ka qenë prezent. Në diskutim e sipër është folur se duhet të shpejtohet procedura për shkak se janë edhe tri faza duhet të ndodhin dhe ka qenë shqetësuese, sepse thotë se së shpejti do të përfundojë në mars. Qysh përfundon nga faza e parë në fazën e katër, për një muaj e gjysmë?”, ka deklaruar më tej Zymi.

Se një gjë e tillë është e pamundur e thotë edhe drejtori i Institutit për Planifikim Hapësinor në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, Luan Nushi, i cili njëherësh është edhe në Komitetin konsultativ për këtë plan të përzgjedhur nga komuna.

Sipas tij, vetëm sugjerimet që ka bërë ai gjatë takimit të janarit marrin kohë të gjatë për shqyrtim.

“Gabim është nëse përfundon në mars, nuk e di se si mund të përfundojë në mars kur janë katër faqe me sugjerime që ne vetë i kemi bërë. Vetëm këtë pjesë që kemi bërë duhet deri në janar me i bë. Paramendoni faza e parë është në janar dhe janë edhe 3 faza tjera vetëm për një dokument pastaj është edhe harta zonale që ka edhe 3-4 faza tjera. Normalisht, përfundimi i këtyre proceseve kërkon dy vjet, sepse duhet të përfshihen shumë instruksione dhe shumë palë të interesit”, ka thënë Nushi.

Në dokumentin e prezantuar deri më tani “Analizë e gjendjes ekzistuese” për Komunën e Prishtinës janë gjetur disa gabime, për të cilat Nushi thotë se janë joprofesionale.

Njëra ndër to është edhe kopjimi i projektit nga komunat tjera, konkretisht nga Komuna e Mitrovicës së Jugut.

“Në dokument e kemi që flet për një komunë tjetër, kompanitë bëjnë planin për të gjitha komunat dhe nuk janë të vëmendshme e marrin prej një komune në komunën tjetër, ia ndërrojnë emrin dhe pak e ndreqin”, thotë më tej Nushi.

Megjithatë, rekomandimet e kësaj ministrie dhe të pjesëtarëve tjerë të Komitetit konsultativ nuk dihet nëse janë marrë për bazë.

Lumturie Shabani-Gashi, nga Qendra Kosovare për hulumtime urbane “PRO-Planning” thotë se ende nuk kanë pranuar versionin me përmirësime.

“Në të dy takimet, ne, por edhe pjesëtarë të tjerë të këtij trupi, kemi ngritur çështje rreth metodologjisë, procesit dhe sidomos kualitetit të planit. Komentet tona i kemi dorëzuar me shkrim dhe përfaqësuesit e Komunës dhe kompanisë kanë thënë që do të merren parasysh. Por, ende nuk kemi pranuar versionin me përmirësime, ndërkohë shohim postime të kompanisë për vazhdimin e punës me fazat tjera. Ne, në organizatën tonë, jemi të mendimit që duhet të vazhdojmë të jemi në këtë trup, për të dhënë kritika e sugjerime me qëllim të rritjes së kualitetit të dokumentit”, ka deklaruar Shabani-Gashi.

Në rast se vërejtjet dhe sugjerimet e tyre nuk merren parasysh, ata kanë thënë se do të largohen nga ky komitet.

Por, asnjë fjalë nuk e ka thënë Komuna e Prishtinës për akuzat, as për kopjim dhe as për mos-transparencë.

Hartimi i planit zhvillimor urban bëhet në Drejtorinë e planifikimit që udhëhiqet nga Genc Bashota.