Arbëri

Çmimore e re për parking në Qendër të Prishtinës, banorët rezidentë do të paguajnë 10 euro në muaj

Në Qendrën e Prishtinës ka filluar aplikimi i çmimores së re për parkimin e veturave.\

Nga kjo çmimore banorët rezidentë do duhet të paguajnë 10 euro në muaj. Ndërsa për familjet që posedojnë dy vetura, do të ketë çmim më të shtrenjtë, raporton Ekonomia Online.

Kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, në një intervistë për Ekonomia Online tha se procesi ka filluar sot bashkë me ekipet e Policisë së Kosovës, dhe qytetarët tash kanë mundësi që përmes aplikacionit ta kenë më të lehtë menaxhimin e parkingut personal.

Tutje ai tha që fokusi do jetë vetëm tek banorët rezidentë, dhe më pas do shohin për bizneset dhe banorët jo-rezident.

“Procesi ka filluar sot, jam i lumtur që më në fund është mundësuar që me startu. Po sot ekipet e tona bashkërisht nën kujdesin e policisë së Kosovës, janë në terren dhe në këto katër rrugët që ne i kemi njoftuar qytetarët më herët që do të fillojë aplikimi i pagesave, ka filluar sot dhe ka pasur edhe një aksion dhe qarkullim i qytetarëve që edhe kanë bërë pagesa, por qëllimi jonë sot nuk ka qenë që me u apliku gjoba, por që të informohen më shumë. Siç ju kemi informuar versioni i pagesave shkon përmes aplikacionit që të gjithë qytetarët mund ta instalojnë dhe është një formë më e lehtë e menaxhimit të parkingut personal. Fokusi do jetë vetëm tek banorët rezidentë dhe më pas tek bizneset dhe banorët jo-rezident”, tha Restelica.

Mes tjerash ai përmendi që për familjet që i kanë dy vetura, do bëhet zgjidhja fillimisht vetëm për veturën e parë, dhe pastaj për veturën e dytë.

“Ne do bëjmë zgjidhje për veturën e parë, ndërsa për veturën e dytë nuk është zgjidhje e jona. Njëherë do merremi me regjistrimin e veturës së parë e pastaj do shohim për veturën e dytë”, u shpreh tutje ai.

Restelica tha që kjo është një punë e re për secilin, duke filluar prej tij dhe stafit në përgjithësi, dhe se është një aktivitet që nuk ka ndodhur më herët.

“Kjo është një punë e re për secilin, duke filluar prej meje, është çështje e menaxhimit të përgjithshëm, po si punë është duke ndodhur tash, është aktivitet i cili nuk ka ndodhur më herët”, thotë ai./EO