Arbëri

Ndryshohet emri i rrugës “Afrim Zhitia”, kundërshtojnë banorët

Descriptive Text

Dikur kjo rrugë e kishte emrin “Afrim Zhitia” e që përkon edhe me rënien e heroit gjatë luftës këtu.

15 vjet më vonë , Komuna e Prishtinës ndryshon emërtimin e rrugës në “2 Nëntori”, e që është data e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut.

Banorët e lagjes “Bregu i Diellit” deri vonë nuk kanë qenë në dijeni se emri i rrugës së tyre ka ndryshuar, madje atë e kanë parë rastësisht.

Sipas tyre, ende faturat po u vijnë me emrin e vjetër të rrugës.

Banori Bujar Osmani tha se për ndryshimin e emrit të rrugës as nuk janë njoftuar.

“Informacion për ndryshimin e emërtimit të rrugës nuk kemi pasur. Rruga prej pasluftës ka qenë rruga “Afrim Zhitia”, ky edhe është vendi ku ka ra ai së bashku me Fahri Faliun në luftë. Ky është ndërrim i adresës por pa njoftim. Së paku ka mund të ketë qenë një tubim publik për ndryshimin e emrit të rrugëve. Edhe pse faturat po vazhdojnë të vijnë me emrin e vjetër të rrugës ‘Afrim Zhitia’”, tha Osmani në emisionin 038.

Sipas Osmanit, mund të jenë probleme të ndryshme nga mos ndryshimi i adresës.

“Është problem nëse e shikojmë se i gjithë dokumentacioni duhet të ndërrohet. Sepse adresa është një lloj identiteti personal, identifikohesh në cilën lagje jeton. Komuna nuk ka dhënë asnjë shpjegim”, tha ai.

Ndërsa Halil Thaqi, një tjetër banor thotë se për shkak të adresës, ka pasur problem edhe me përmbarues.

“Problemet kanë me ardhë të ardhmen. Personalisht kam pasur problem por atë e kam kryer përmes Gjykatës. Problemi ka qenë bukur i madh por është rregulluar pastaj. Letra nuk ka ardhur në adresën e duhur kështu është dashur t’i paguajmë vërejtjet prej organeve kompetente.me pas ardh me kohë në adresën e caktume kishim ndërmarrë masa”.

Ndërsa sa i përket ndryshimit të kësaj rruge, familjarët e Afrim Zhitisë kanë thënë se kanë qenë të njoftuar me kohë për ndryshimin që do të bëhej.

“Po kemi qenë të njoftuar, ky është vendim i kuvendit komunal! Ju faleninderit për intersimin”, ka thënë Naim Zhitia.

Bajram Curri, nga zyra e sistemit të adresave në Komunën e Prishtinës, ka sqaruar edhe arsyen e ndërrimit të emërtimit të kësaj rruge.

“Aq sa mbaj mend për rrugën konkrete ka qenë ideja që “Afrim Zhitia” të vendoset diku më në qendër. Ndërsa rruga që ka qenë më parë është bërë “2 nëntori” pra me datën e rënies së dy heronjve Afrim Zhitia dhe Fazli Fazliu”, tha Curri.

Ndërsa sa i përket mosndryshimit të adresave në fatura, Curri thotë se ky është faji i institucioneve përkatëse.

“Problemi është te zbatueshmëria e këtij vendimi. Nuk janë fajtor qytetarët. Por kjo duhet njëherë e përgjithmonë se vendimi i Komunës duhet të jetë i zbatueshëm nga i gjithë territori i Komunës së Prishtinës”, tha ai.

Ndërsa gjatë kohës që ka qenë në shqyrtim publik, sipas Currit, nuk ka pasur asnjë vërejtje nga banorët.