Arbëri

Raporti i dobët financiar i Komunës së Prishtinës për vitin 2020

Tregu i qytetit nuk është realizuar as vitin e kaluar në Prishtinë, ndonëse si premtim është dhënë kaherë.

Janë të shumta projektet kapitale që kanë mbetur në letër.

Në vitin 2020, Prishtina ka shpenzuar pak nga buxheti i ndarë për investime kapitale. Vetëm 32.91% e buxhetit të paraparë për këtë kategori është ekzekutuar dhe kjo paraqet një rënie prej 12.87 për qind krahasuar me vitin 2019.

Edhe këtë vit qeverisja Ahmeti ka vazhduar përkrahjen për disa ndërmarrje publike, sikurse “Trafiku Urban”, së cilës ia ka dhënë mbi 4 milionë euro të arsyetuara si para për humbjet në kilometrazh.

E fokusuar qeverisja e Prishtinës ka qenë edhe në përkrahje të ndërmarrjes publike banesore. Kësaj të fundit i ka dhënë, ndër të tjera, mjete edhe për mirëmbajtje të këndeve të lodrave në vlerë prej 46 mijë eurosh.

Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm nga buxheti i paraparë prej 536 mijë eurosh ka shpenzuar vetëm mbi 2 mijë euro.

Drejtoria e Planifikimit Urban nga buxheti i paparë prej 222 mijë eurosh ka shpenzuar vetëm 48,390 euro.

Në një vit me dëme nga reshjet e me kërkesa të mëdha nga blegtorët, Drejtoria e Bujqësisë ka dhënë vetëm 300 mijë euro subvencione.

Performancë jo të mirë ka edhe kur bëhet fjalë për arkëtim të mjeteve.

Sipas raportit të Ahmetit, të hyrat tatimore dhe jotatimore kanë shënuar një rënie prej 20.73% , që korrespondon me 6 milionë e 517 mijë më pak euro krahasuar me vitin paraprak. Kjo rënie ka ardhur në masë të madhe nga mosrealizimi i planifikimit të të hyrave nga taksat e tatimit në pronën e paluajtshme, Inspektorat, konfiskimi i automjeteve, leje mjedisore komunale, të hyrat nga Kadastra, infrastruktura rrugore.

“Kryetari i Komunës vlerëson se realizimi i të hyrave vetjake në vitin 2020 është realizim i mirë dhe tejkalon realizimin paraprak të vitit 2020, andaj pritet që në vitin 2021 të ketë tejkalim të planifikimit të të hyrave vetjake për Komunën e Prishtinës”, përfundon raporti.