Arbëri

Mehmeti thotë se infrastruktura në Prishtinë është më mirë se që po paraqitet

Drejtori për Investime Kapitale në komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, ka thënë se gjatë viteve 2019-2020 janë ndërtuar mbi 200 rrugë.

“Nuk është infrastruktura siç po paraqitet, kemi shumë pozitivitet, kemi çështje shumë pozitive sa i përket rrugëve, kemi ndërtuar mbi 200 rrugë, kemi bë ndarjen e kanalizimit fekal me atë atmosferik”, tha ai në emisionin 038 të KTV-së.

Mehmeti është përgjigjur për disa rrugë të cilat janë në gjendje të rëndë infrastrukturore.

Sa i përket kolektorit në lagjen “Kalabria”, ai tha se deri në fund të marsit do të tenderohet e gjithë rruga A për përfshinë edhe këtë kolektor.

“Kolektori në Kalabri në asketin e konceptit juridiko-pronësore është bërë ndalimi i punimeve por një gjë pozitive në fund të marsit do tenderohet e gjithë rruga A e që pastaj do përfshihet edhe ndërtimi i kolektorit në Kalabri. Nga ujësjellësi KRU “Prishtina” deri në Zllatar do të kemi një kolektor të ri që vlera e projektit do jetë 12 milionë”.

Në rrugën “Esat Pasha”, Mehmeti tha se instalimet ajrore ende nuk janë hequr siç ishte thënë për shkak të kushteve atmosferike që e kanë pamundësuar punën.

“Nuk është e dëmtuar, po bëjmë investime që janë të domosdoshme sepse aty nuk ka pasur kanalizim fekal dhe aty nuk do t’i shihni më instalimet ajrore sepse nuk duken mirë, por tokësore. Kjo vazhdon me ndryshimin e klimës dhe deri në fund të majit do përfundojnë punimet aty”.

Ndërsa zgjatjen e punimeve në rrugët e lagjes “Pejton” ai e arsyetoi me largimin e kabllove nga ajri dhe futja e tyre në tokë që ka shkaktuar në vonesën e përfundimit të punimeve.

Mehmeti tha se instalimet nuk kanë përfunduar, për çka ende kabllo janë aty.

“Sepse të gjitha instalimet nuk kanë përfunduar nga shtëpia në rrugë, me përfundimin e tyre do eliminohen. Ka marrëveshjes mes operatorëve ekonomikë që t’i largojnë, po presim që t’i largojnë ato me dëshirë dhe nëse nuk i largojnë do ta bëjmë ne me mjete juridike të dhunës”.

Punimeve në rrugën “Agim Ramadani” që kanë vazhduar për disa kohë, e që janë përcjellë me ankesa të qytetarëve se ajo është ngushtuar me krijimin e shtegut të biçikletave, Mehmeti i dha përgjigje se kryeqytetit i duhet qarkullim me standarde më të mira dhe se nuk duhet të ketë qarkullim të automjeteve të rënda që bllokojnë rrugët.

Ai dha përgjigje edhe për zonën rurale të Prishtinës, për dy prej të cilave tha se do të bëhet zgjerimi i rrugëve.

“Rreth rrugëve në Makovc dhe Grashticë, rruga do të zgjerohet, jemi në fazën e tenderit do shpallet shpejt, do bëhen edhe shtigjet e biçikletave”, tha ai.