Metro

Konkurs për ish-“Gërminë” pas debatit dyvjeçar dhe humbjes së 11.4 milionë eurove

Konkurs për ish-“Gërminë” pas debatit dyvjeçar dhe humbjes së 11.4 milionë eurove
Fotolegjenda: Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe drejtoresha për Kulturë, Blerta Basholli, kanë njoftuar se javën e ardhshme do të hapet konkursi ndërkombëtar për projektimin arkitektonik të sallës koncertale. Objekti i ish-“Gërmisë” synohet të adaptohet për sallë me kapacitet prej 800 ulësesh dhe një tjetre më të vogël. Edhe në konferencë, zyrtarët komunalë janë përkujdesur për sfond: një imitim i fasadës së ish-“Gërmisë” bashkë me shkronjat që s’i ka më

Një konkurs ndërkombëtar synon që ndërtesën e ish-“Gërmisë” – të ndërtuar më 1972 sipas projektit të arkitektes Liljana Rashevski – ta adaptojë për një sallë koncertale dhe një tjetër për jazz. Sipas kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, “salla koncertale do të jetë nikoqire e komunitetit të artistëve vendorë e ndërkombëtarë dhe do të pasurojë e përmirësojë cilësinë e jetës kulturore të Prishtinës”. Ka dy vjet që debatohet për këtë projekt, dhe konkursi vjen një vit pasi u humb mundësia e shfrytëzimit të 11.4 milionë eurove të BE-së

Ruajtja e elementeve të trashëgimisë kulturore dhe ofrimi i zgjidhjeve kreative brenda ndërtesës së ish-“Gërmisë” janë dy nga synimet kryesore të Komunës së Prishtinës për ta bërë kryeqytetin me sallë koncertale. Deri në muajin shkurt, brenda 75 ditësh, arkitektë nga vendi e bota do ta kenë mundësinë që t’i shpalosin propozimet e tyre në konkursin për adaptimin e objektit të ish-Shtëpisë së Mallrave për sallë koncertale, që do të hapet gjatë javës së ardhshme.