Arbëri

Shtëpitë vërshohen nga ujërat e zeza në lagjen “Mati”

Pothuajse çdo ditë Vehbi Tahirit i duhet të kalojë nëpër rrjedhën e ujërave të zeza që kalon nëpër derën e shtëpisë së tij.

Ai thotë se mosintervenimi i Komunës në rrugën “Ukshin Kovaçica’’ tash e sa kohë vetëm sa e ka shtuar numrin e dëmeve këtu, e gjendja me të cilën ballafaqohet bëhet e papërballueshme.

Pakënaqësitë me rrjedhën e vazhdueshme të kanalizimit, rrugën e pusetat e hapura i shfaqin edhe banorë të tjerë, e mosreagimi i Komunës, pavarësisht ankesave, po bëhet irritues për ta.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, zyrtarë të ujësjellësit rajonal ‘’Prishtina’’ kanë thënë për KTV-në se intervenimet në këtë rrugë janë të shpeshta prej anës së tyre.

Sipas tyre, Komuna duhet të përkujdeset për ndërtimin e një rrjeti të ri të kanalizimit me diametër më të madh, duke pasur parasysh ngarkesën e madhe të shkarkimit të ujërave të zeza.

Derisa zyrtarë komunalë për këtë problem gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.

‘’Në rrugën “Ukshin Kovaqica” në vazhdimësi kemi paraqitje të rastit me bllokim të kanalizimit. Në secilin rast ne u dalim në ndihmë banorëve për zhbllokim, por në këtë rrugë komplet rrjeti i kanalizimit është dëmtuar nga ndërtuesit e objekteve ndërtimore ato kolektive dhe nga peshat e rënda që ka dëmtuar rrjetin e tërësishëm të kanalizimit në tërë gjatësinë e rrugës.

Gypi ekzistues është profil i vogël dhe vështirë të përballohet shkarkimi i kanalizimit, prandaj kërkojmë që të merren masat që infrastruktura të riparohet apo të planifikohet nga Drejtoria e Investimeve Kapitale komplet kjo rrugë për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimit dhe të planifikohet diametër më i madh, duke pasur parasysh ngarkesën e madhe të shkarkimit të ujërave të zeza.Në shumicën e rasteve ne kemi pastruar pusetat, por brenda dy-tri ditëve ato janë mbushur me mbeturina dhe gjësende të ndryshme, prandaj gjendja momentale në këtë rrugë është shumë e rëndë’’, ka thënë zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.