Arbëri

Kryetari i Prishtinës paralajmëron zgjidhje për problemin e qenve endacakë në kryeqytet

Problemi me qentë endacakë mbetet shqetësues për Komunën e Prishtinës, marrë parasysh rrezikun e vazhdueshëm që iu kanoset qytetarëve çdo ditë.

Sipas një njoftimit për media nga Komuna e Prishtinës, thuhet se duke ditur faktin se këto kafshë migrojnë, kufiri administrativ komunal është pengesë për zgjidhjen e këtij problemi.

Tutje në njoftim thuhet se çështja e qenve endacakë duhet të trajtohet dhe zgjidhet në nivel kombëtar dhe në gjithë territorin e Kosovës.

“Duke ditur faktin se këto kafshë migrojnë, kufiri administrativ komunal është pengesë për zgjidhjen e këtij problemi edhe pse me këtë legjislacion dhe me këto kapacitete buxhetore e njerëzore, komunat nuk kanë mundësi që të përballen vetë me këtë sfidë”, thuhet në njoftim.

Siç thonë ata, Komuna e Prishtinës për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë është duke punuar në disa drejtime.

“Duke bërë rehabilitimin e gjendjes së tanishme, Komuna e Prishtinës përmes operatorit ekonomik bën trajtimin e qenve në mënyrë humane, siç është e përcaktuar me ligjin në fuqi. Prandaj, qentë endacakë kapen në qytet, kontrollohen për sëmundje, vaksinohen apo trajtohen nëse sëmundja është e shërueshme, sterilizohen apo kastrohen në mënyrë që të mbahet nën kontroll shtimi i tyre, mbahen në kujdestari deri në 14 ditë në mënyrë që të socializohen dhe pastaj veterineri jep urdhër për lirimin apo eutanazimin nëse qeni është agresiv”.

Në njoftimin e dërguar nga Komuna e Prishtinës po ashtu thuhet se është hartuar një plan operativ dhe është përpiluar harta e rrezikut duke e identifikuar vendndodhjen e qenve endacakë.

“Vazhdimisht identifikohen dhe rrënohen shtëpitë e braktisura, si dhe vazhdimisht pastrohen deponitë ilegale në mënyrë që të parandalojmë grumbullimin e qenve. Komuna e Prishtinës i ka aktivë edhe numrat emergjentë pa pagesë, që janë të hapura 24 orë, ku qytetarët mund të lajmërojnë për çdo parregullsi apo shqetësim që kanë.

Në ndërkohë, Komuna e Prishtinës bën të ditur se ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë dhe trajtimin e tyre, si dhe është në pritje të lejes mjedisore nga Ministria.

Po ashtu është duke e zbatuar pilot projektin për pesë pikat ushqyese për qentë në territorin e Prishtinës.