Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka hapur thirrjen publike për të gjitha organizatat joqeveritare, individët, bizneset të regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i fokusuar e fushën e kulturës, të aplikojnë për mbështetje financiare në thirrjen publike të Fazës së II-të 2020, transmeton KOHA.
Tutje bëhet e ditur se OJQ-të, individët dhe bizneset, në përputhje me këtë thirrje publike, mund të aplikojnë me projektpropozimet për organizimin e aktiviteteve kulturore si më poshtë:
a) Art vizual – figurativ: krijim i veprës së re, fuqizim i artistëve të rinj, ekspozitë, hulumtim kuratorial, instalime në hapësira publike, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe invovacion teknolgjik;
b) Botime: për fëmijë, për të rinj, romane, tregime, përkthime, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe hulumtime kulturore;
c) Kinematografi: film dokumentar, filmi i shkurtër, film i animuar, fuqizimi i kinematografëve të rinj, titrim dhe zhvillim skenari;
d) Muzikë: kompozim i veprës së re, audio-incizim, koncert, fuqizimi i muzikantëve të rinj, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik;
e) Trashëgimi kulturore dhe turizëm: fushata vetëdijësimi, pjesëmarrje në aktivitete për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, hulumtim, promovim i diversitetit kulturor, turizëm kulturor, platforma informative;
f) Teatër: prodhimi i shfaqjes, promovim dhe pjesëmarrje e shfaqjes në festival kombëtare dhe ndërkombëtare, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik;
Komuna bën të ditur se vlera e përgjithshme e planifikuar për Fazën e II-të është 100,000.00 euro. Derisa shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për një projekt është 500.00 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 13,000.00 euro.
Hollësitë rreth aplikimit i gjeni në vegëzën: https://tinyurl.com/yxvfzr2j
Afati për dorëzimin e propozimeve është nga data 08.09.2020 deri më 28.09.2020, në ora 23:59.
Periudha e zbatimit të projektit është deri në fund të muajit dhjetor 2020.