Arbëri

Në Prishtinë po kryhen nga 120 teste serologjike në ditë për COVID-19

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka ndarë me publikun të dhënat e para të testeve serologjike që po kryhen në kryeqytet nga e hëna.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në ditë po kryhen 120 teste.

Testimit po i nënshtrohen persona me simptoma të COVID-19 dhe të tjerë, kryesisht profesionistë shëndetësorë.

Ahmeti tha se janë në përgatitje të protokolleve për dy hulumtime, për çka edhe shërbejnë më shumë testet serologjike, pasi nuk kanë saktësinë e PCR-së, që kryhen në IKSHPK.

Përmes testeve serologjike mund të mësohet nëse ndokush është në fazën fillestare të infeksionit, pastaj nëse është në kulm të infeksionit apo nëse e ka kaluar.

“Këto ditë kemi rritur kapacitetin e testimeve në rreth 120 në ditë, ku gjysma është testim i pacientëve me simptoma, ndërsa gjysma tjetër e punëtorëve tonë shëndetësorë dhe punëtorëve të Komunës që kanë punë me palë e janë staf esencial. Po ashtu jemi në përgatitje të protokolleve për dy hulumtime, një të imunitetit të personave të prekur nga COVID, e tjetra e prevalencës. Për to duhet të kemi aprovimin e Komitetit Etik të Odës së Mjekëve. Jemi në koordinim edhe me studiues ndërkombëtarë”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka treguar se dje nga 60 pacientë me simptoma të COVID-19, 21 kanë rezultuar pozitivë.

“Testi PCR edhe më tutje mbetet më i sigurti i dëshmisë që e keni virusin, e ai bëhet në IKSHP. P.sh. dje nga 60 pacientë me simptoma, 21 kanë rezultuar me anti-trupa, pra ose që janë në javën e dytë të infeksionit ose që e kanë kaluar.

Nga 43 punëtorë të mjekësisë familjare në Prishtinë, vetëm dy kanë rezultuar me anti-trupa (pa simptoma dhe nuk e kanë ditur që e kanë pas). Nga 28 punëtorë të një drejtorie, vetëm një ka rezultuar me anti-trupa. Të gjithë janë rekomanduar në vetizolim”, ka shkruar tutje Ahmeti.