Në orët e mbrëmjes së të enjtes në Prishtinë shiu e erërat që frynë shkaktuan dëme të konsiderueshme.
Në rrugën “Fehmi Agani”, në afërsi të sheshit “Nënë Tereza” në Prishtinë, era rrëzoi edhe këtë dru të madh, që më vonë është larguar nga ekipet emergjente.
Edhe në sheshin “Edit Durham” kishte dru të rrëzuar. Mirëpo qytetarët thonë që nga era e fuqishme kishte dëmtuar pronën e bizneseve përreth.
Për shkak të reshjeve shumë rrugë në Prishtinë ishin mbushur me ujë.
Rrugët e lagjes “Tashligje”, nga bllokimi i pusetave u bënë vështirë të kalueshme.
Gjatë mbrëmjes, ekipet e Shtabit të Krizës në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prishtinë kanë dalë në terren.
Sipas drejtoreshës së Shërbimeve Publike, Medina Braha, dëme ka pasur kryesisht në qendër.
Ajo ka shtuar se janë liruar pusetat dhe uji është larguar nga rrugët.
Komuna e Prishtinës, po ashtu, ka vënë në dispozicion edhe numrin për thirrje emergjente që qytetarët të njoftojnë në rast se kanë pësuar dëme.
Gjatë së enjtes nuk është bërë kalkulimi i dëmeve.