Arbëri

Prishtina, atraksion turistik edhe në kohë pandemie

Sikurse shumë sektorë të tjerë, pandemia ka prekur edhe sektorin e turizmit dhe të ardhurat që vijnë nga ky sektor gjatë sezonit të verës në Prishtinë.

Por megjithatë, Sahat Kulla, Teatri, sheshet me monumente e figura historike, ndërtesat e vjetra që pasqyrojnë kulturën e përzier të Prishtinës vazhdojnë të konsiderohen të përshtatshme për t’u vizituar edhe në kohë pandemie.

Duke respektuar masat, këto janë vetëm disa prej fakteve që rrëfejnë për historinë e kryeqytetit, e që duhet të vizitohen gjatë kësaj vere. Pa kafenetë dhe lokalet e natës në kohë pandemie, qytetarët shohin edhe mundësi të tjera për të eksploruar kulturën e pasur të Prishtinës, transmeton KOHA.

Atraksionet në Prishtinë dallojnë varësisht nga kultura e popullit që viziton atë.

Derisa Japonia i kushton më shumë rëndësi strukturës së vjetër të ndërtesave, amerikanët pëlqejnë më shumë muzetë apo teatrot.

E gërshetimi i të dyja këtyre kulturave brenda kryeqytetit ciceroni Orhan Ramadani thotë se e bëjnë Prishtinën vend për t’u vizituar edhe gjatë kësaj kohe. Ramadani tha se gjatë kohës së pandemisë, banorët e vendit mund të gjejnë mënyra të tjera për të kaluar kohën në Prishtinë larg zhurmës dhe bareve.

Sipas tij, shumë objekte kanë ruajtur origjinalitetin e tyre, megjithëse ka prej atyre në të cilat intervenimi në to vetëm sa i ka dëmtuar. Ajo çka ofron Prishtina sipas Ramadanit, mbetet gama e gjerë e kulturës së ruajtur ndër vite që qytetarët duhet ta shfrytëzojnë, sidomos në këtë kohë për t’u njohur më mirë me qytetin.

Prishtina rrethohet me atraksione të cilat tërheqin syrin e shumë turistëve, si stacioni i trenit që shërben si rrëfim për kohën e luftës dhe shpërnguljen. Bulevardi ‘’Bill Clinton’’ si shenjë falënderimi ndaj SHBA-së apo sheshi ‘’Heroinat’’ e obelisku ‘’NewBorn’’.

Nga komuna thonë se pandemia ka ndikuar në aktivitetet e planifikuara të tyre për këtë verë, duke bërë që shumica prej tyre të anulohen.

Megjithatë, sipas Berishës, këshilli komunal për kulturë në komunë është vazhdimisht në diskutime që kanë të bëjnë me promovimin e fushave të tjera me interes për turistët. Pa llogaritur dy burimet kryesore të kryeqytetit për të cilat ai njihet, gastronominë e jetën e natës.

Berisha tha se Komuna ka në plan lansimin e një aplikacioni me emrin ‘’InPrishtina’’, përmes të cilit qytetarët mund të informohen për gjërat që mund të bëjnë gjatë kësaj vere në Prishtinë pa u ndikuar nga masat dhe ndalesat për shkak të pandemisë.