Arbëri

KEDS-i investon 16.5 milionë euro në Prishtinë, kabllot e ekspozuara do të futen nën tokë

Drejtori i KEDS-it, Alper Erbas dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti kanë inspektuar në terren investimet e KEDS-it në kryeqytet.

I pari i kryeqytetit dhe drejtori i KEDS premtuan se shumë shpejt kabllot e ekspozuara do të futen në tokë, dhe kështu do të eliminohet rreziku për qytetarët e Prishtinës.

Drejtori i KEDS-it, Alper Erbas theksoi se në periudhën 6 mujore të këtij viti do të kompletohet investimi i bërë nga KEDS në Prishtinë.

“Investim do të jetë 16.5 milionë euro ku do të afektohet i gjithë kryeqyteti. 95 mijë konsumatorë në gjithë Prishtinën prej 120 mijë konsumatorëve do të përfitojnë prej këtyre investimeve. Do të kemi energji stabile më të madhe dhe gypat të cilat janë përgatitur për kabllo të cilat do të jenë nën tokë”, theksoi Erbas.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se përveç eliminimit të kabllove të ekspozuara, do të sigurohet edhe energji alternative për qytetarët e Prishtinës.

“Jemi në vëzhgim apo monitorim të punimeve që KEDS-i po i bën në komunën e Prishtinës, i cili po bën një investim mbi 17 milionë euro në përmirësimin e situatës në Prishtinë në disa fusha, siç është përmirësimi e furnizimit të rrymës prej 10 kv në 20 kv që ofron rrymë stabile për qytetarët tanë. E dyta është që kabllot e ekspozuara do t’i vendosim nën tokë, të cilët tani janë të rrezikshme për banorët, sepse janë të ekspozuar. Dhe e treta, që është e rëndësishme, është që gati për 100 mijë banorë me këto investime do të ofrohet furnizim alternativ”, tha Ahmeti.

Kompania për distribuimin e energjisë elektrike, KEDS-i ka investuar dhe është duke investuar ende edhe në komuna të tjera në vend.