Arbëri

Halili për vërshimet: S’kemi kapacitete për intervenim të menjëhershëm në gjithë Prishtinën

Halil Halili, nga Komuna e Prishtinës, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se kur ndodhin vërshimet nuk kanë kapacitete që të intervenojnë menjëherë në gjithë zonën e Prishtinës.

Reshjet e mëdha të shiut shkaktojnë vërshime të shumta në Prishtinë.

Halili thotë se probleme më shumë kanë në zonat rurale, derisa thotë se kanë intervenuar me sukses në zonat urbane.

“Gjendja në terren fillimisht është mirë. Ka pasur intervenime të ndryshme gjatë ditës. Problemet më të mëdha kanë qenë në ato pjesë ku kanë qenë kanalizimet fekale të bllokuara. Kuptohet pjesa e jonë, që kemi pasur kompetencë është realizuar nga kompanitë tona, ndërsa pjesa tjetër është mbetur në kompetencë të KRU Prishtinës”, ka thënë Halili. “Në zonën urbane kemi pasur ndërhyrje, ekipet kanë intervenuar me sukses. Në pjesët rurale ka qenë më problematike për shkak të mungesës së infrastrukturës, kryesisht më problematike kanë qenë pjesët ku rrugët kanë qenë me zhavorr”.

Ai ka treguar se në Rrugën B është bërë një intervenim vitin e kaluar, kanalizimi fekal që ka qenë problem në atë pjesë, ku uji ka hyrë në objektet banesore, dhe sot kjo nuk ndodhi pasi është përmirësuar ajo pjesë.

“Kapacitetet janë të mjaftueshme nëse nuk ka dëmtime të gypave atmosferikë, që mund të mos jenë funksionalë apo të bllokuara me materiale të ndryshme. Ne kemi informatë nga qendra e thirrjeve që ua ka përcjell ujësjellësit Prishtina, që janë në kompetencën e tyre. Pjesa e Barilevës ku kalon lumi Llap, dhe kemi intervenuar edhe në pjesën e Gollakut dhe ekipet janë ende në terren ku po bëjnë përpjekje për të eliminuar këto probleme. Ekipet janë në terren, tash nuk kemi kapacitete për të mbuluar të gjithë zonën e Prishtinës, por shkohet gradualisht. Në terren kanë qenë afër katër ekipe në zona të ndryshme”, ka thënë Halili.

Halili tutje ka shtuar se ka makineri të mjaftueshme, është intervenuar edhe më herët dhe është i përgatitur për çdo sezon në portat hyrëse të lumenjve apo liqeneve dhe nëse është e nevojshme, Komuna ka të drejtë të angazhojë edhe ekipe shtesë.

Problem tjetër sipas tij është edhe vjedhja e kapakëve.

“Në kohën e fundit kemi pasur vjedhje të pusetave, në rrugën Shkabaj, janë vjedhur rreth 16 kapakë. Janë njoftuar edhe organet kompetente lidhur me rastin. Nuk është rasti i parë që ndodh. Ne si komunë prapë i vendosim, pasi janë me rrezikshmëri për pjesëmarrësit në komunikacion, por gjithashtu edhe banorët hedhin mbeturina në to. Kërkoj nga qytetarët që të bëjnë përpjekje që t’i ruajnë ato sepse janë të domosdoshme”, ka thënë Halili.