Për të dytën herë u mblodhën në kushte të jashtëzakonshme.
Fillimisht këshilltarët komunalë të Prishtinës miratuan Pakon Ekonomike Emergjente për t’u përballur me virusin COVID-19, e herën e dytë u informuan nga kryetari, Shpend Ahmeti për punën e bërë.
Por, me mbledhje të rregullta, të cilat është dashur të zhvillohen gjatë marsit dhe prillit, Prishtina ka mbetur prapa, raporton KOHA.
Ndërsa, tani kur situata është përmirësuar, komuna po kërkon kthimin e mbledhjeve të rregullta.
Megjithatë, nënkryetari Muhedin Nushi thotë se puna në investimet kapitale nuk është ndalur gjatë kësaj periudhe.
Por, sipas tij, kryerjen e shumë punimeve po e vështirëson pamundësia e këmbimit të pronave private me ato publike, kompetencë kjo e Kuvendit Komunal.
Në emër të 38 komunave të vendit, një kërkesë të tillë e ka bërë Asociacioni i Komunave.
Në anën tjetër, institucionet po presin vlerësimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike nëse mbledhjet paraqesin rrezik për përhapjen e virusit.
“Kemi pranuar edhe një shkresë zyrtare lidhur me kërkesat e komunave ndër të tjera, edhe me mbajtjen e seancave të rregullta. MAPL ka adresuar kërkesën te Ministria e Shëndetësisë (MSH) nëse mbajtja e seancave të rregullta në kushtet kur janë marrë masat parandaluese nga ana e komunave, është e lejueshme. Jemi informuar nga MSH se kërkesa e tillë është adresuar në IKSHPK dhe posa të kemi një përgjigje zyrtare, do të informohen komunat”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Prishtina planifikon që brenda majit të mbajë mbledhje të rregullt të Kuvendit Komunal.
Përfaqësuesit e qytetarëve pritet të mblidhen sikur herën e fundit, në sallën e madhe të objektit të ri të komunës.