Arbëri

Përballja e Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë me Covid-19

Me situatën e krijuar nga pandemia, ekipi i cili përballet direkt me rrezikun nga koronavirusi është ai i qendrës së mjekësisë urgjente në Prishtinë.

Që prej shfaqjes së rasteve të para me Covid 19 në kryeqytet, kjo qendër ka rritur intensitetin e punës, duke shpejtuar edhe kohën e reagimit të tyre në terren.

Për shkak se më të prekurit nga COVID-19 janë pacientët me sëmundje kronike, specialistja e mjekësisë familjare, Luljeta Kadiri, thotë se është rritur edhe numri i thirrjeve prej personave të prekur nga këto sëmundje.

Derisa ekipeve të kësaj qendre dhe 4 qendrave të tjera urgjente nëpër Prishtinë u duhet të kryejnë vizitat e tyre nëpër shtëpi të këtyre pacientëve, transmeton KOHA.

Përveç vizitave rutinë të urgjencës, Kadiri tregon se janë shtuar edhe rastet kur atyre u duhet të intervenojnë edhe në Qendrën e Studentëve, përveç detyrave të tjera të zakonshme.

Nga shtimi i numrit të thirrjeve në këto qendra te ndërrimi i hapësirës punuese e deri tek orari i zgjatur, ajo thotë se janë krijuar vështirësi në punën e tyre.

Megjithatë, sipas saj, gjithçka po mbahet nën kontroll nga ekipet urgjente të Prishtinës.

E gjatë njëzet e katër orëve në gjendje gatishmërie, nuk mungojnë as thirrjet ku kërkohet intervenimi i menjëhershëm i ekipit të saj.

E kur bëhet fjalë për koronavirusin, ajo thotë se i pashmangshëm është edhe kontakti me të dyshuarit e prekur nga virusi.

Nga dezinfektimi i autoambulancave, maskat mbrojtëse e te veshjet e tjera të nevojshme për reagim në situata emergjente, ekipi i specialistes Kadiri vazhdon punën në terren.

Kadiri tregon se brenda një dite, ekipet e urgjencës reagojnë në mbi 100 raste që paraqiten nëpër qendrat e tyre, ndërkohë që varësisht prej lokacionit të pacientit, dërgohet edhe ekipi më i afërt.