1 perditesime
16:39

Bizneset me qira në Prishtinë do të lirohen për dy muaj nga pagesa

Komuna e Prishtinës ka përgatitur një pako emergjente të quajtur “Prishtina 1”, e nëse situata me Covid-19 vazhdon, atëherë do të prezantohet edhe pakoja “Prishtina 2”.

Këtë e ka bërë të ditur kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.

“Kemi përgatit një pako emergjente e quajtur Prishtina 1. Nëse vazhdon kjo gjendje mund të paraqitet mundësia që të prezantohet pakoja Prishtina 2. Pakoja “Prishtina 1” përmban 14 pika”, ka thënë Ahmeti, raporton KOHA.

Një ndër këto pika është edhe lirimi i bizneseve nga qiraja për dy muaj, kurse bizneset e gastronomisë që paguajnë për tarracat do të lirohen nga pagesa për një vit.

“Pika1: Sigurimi i 5000 pakove në vlerë 50.000 euro që përfshinë mjete higjienike të dedikuara për familjet në nevojë me asistencë sociale mirëpo besoj se duhet t’i shpërndajmë këto ndihma edhe më gjerë. Javën e ardhshme vijnë 200 pako prej Odës Ekonomike. Të gjitha bizneset me qira në Komunën e Prishtinës do të lirohen nga qiraja për dy muaj rresht për pjesën që nuk mbulohet nga Qeveria. Bizneset e gastronomisë (vlen për të gjitha) që paguajnë taksë për shfrytëzimin e hapësirës publike (si tarracat), do të lirohen për një vit nga pagesa”, ka thënë Ahmeti.

Ai gjithashtu ka shtuar se Stacionit të Autobusëve i është ndërprerë puna.

“Kemi menduar t’i subvencionojmë me paga, po ashtu edhe 8 çerdhe me bazë në komunitet. Derisa do të lirohen nga pagesat të gjithë prindërit me fëmijë në çerdhe. Nga 100 mijë euro për sport dhe kulturë, posaçërisht për klubet dhe sportistët të cilëve iu kanë ndalë të ardhurat. I kemi ndarë të ardhurat në këtë drejtim. Kemi publiku një program për artistët që të regjistrojnë koncertet online dhe që do të transmetohen në 3 televizione publike”, ka thënë Ahmeti.

Me 43 vota Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar dy pikat e rendit të ditës për gjendjen emergjente me Covid-19.

Se çfarë përmban pako “Prishtina 1” mund ta shikoni më poshtë.

16:24

Prishtina me orë policore edhe pas 13 prillit, thotë Ahmeti

Komuna e Prishtinës do të vazhdojë të respektojë orën policore edhe pas datës 13 prill.

Këtë vendim të Qeverisë Kushtetuesja e ka cilësuar antikushtetues për shkak të cenimit të lëvizjes së qytetarëve, mirëpo kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se do të vazhdohet me këtë masë në këtë komunë.

Pra, në Prishtinë qytetarët s’do të kenë të drejtë të lëvizin nga ora 17:00-06:00, transmeton KOHA.

“Nevojitet vendim i veçantë për çdo komunë kështu që ne do të vazhdojmë me respektimin e orës policore prej orës 17:00 edhe pas 13 prillit”, ka thënë Ahmeti në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, që po mbahet në sallën e madhe në objektin e ri të Komunës.

Në rend të ditës në këtë mbledhje janë:

1. Propozim vendimi për aprovimin e pakos ekonomike shkak i COVID-19.

2. Propozim vendimi për bartjen e buxhetit të vitit të kaluar.

Ahmeti ka thënë se Prishtina i ka shpëtuar një shpërthimi të madh pandemik.

“Meqenëse situata po ndryshon shpejt mbledhja është thirrur për këtë ditë ndërkohë varësisht nga situata edhe dy mbledhje priten të mbahen. Kemi 26 raste në Prishtinë, kam diskutuar me ministrin Vitia dhe mund të them se i kemi shpëtuar një shpërthimi më të madh”, ka thënë Ahmeti.