Arbëri

Tahiri thotë se në kryeqytet po bëhen vazhdimisht inspektime

Drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Adonis Tahiri, thotë se inspektimet në terren, pra në kryeqytet, po vazhdojnë pa ndërprerë.

Megjithatë, vendimin e Qeverisë në detyrë, për kufizimin e lëvizjeve të qytetarëve, në orët që janë vendosur, e ka cilësuar problematik.

“Vendimi i MPB-së, ishte problematik, sepse nuk i ka menduar pasojat që mund të sjellë në Prishtinë”, tha ai në një lidhje direkte në emisionin 038 në KTV.

Tahiri, theksoi se izolimi nëpër shtëpi jo domosdo parandalon shpërndarjen e virusit. Ka bërë kërkesë, gjithashtu, që të mbahet distanca prej 1.5m, tek ata që dalin për të kryer ndonjë punë urgjente në qytet.

Koronavirusi, ka bërë që Tahiri të mbajë distancë edhe me familjarët e tij, në këtë rast bashkëshorten dhe vajzën e tij disamuajshe.

Derisa po fliste për punën në Komunën e Prishtinës, ai është pyetur edhe për një fotografi që ka publikuar në Facebook, ku dërgon dashuri nga distanca për bashkëshorten dhe vajzën e tij.

“Në fakt, për shkak të koronavirusit unë kam dërguar dashuri me fotografi për bashkëshorten dhe vajzën time nga distanca, ngase gjumin po e bëj në një shtëpi tjetër, pra po qëndrojmë në shtëpi të ndryshme për t’i mbrojtur ato. Unë vazhdimisht jam në kontakt me persona të ndryshëm, andaj duhet kujdes i shtuar”, ka deklaruar Tahiri.