Mëngjesin e sotëm një shtëpi private në Taukbashqe është zgjuar e mbushur përplot me ujë. Kjo si pasojë e një defekti të një tubacioni të ujit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, thotë se sot në orën 06:00 të mëngjesit ka ndodhur një defekt në një tubacion të ujit dhe menjëherë i është përgjigjur thirrjes për të shkuar e për ta sanuar atë.
“Jemi njoftuar nga një konsumator se në lagjen "Tasligje" të kryeqytetit ka ndodhur një defekt në një tubacion të ujit, konkretisht në rrugën " Abdyl Ramaj". Me këtë rast, ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit e kanë ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm. Linja e cila ka pësuar defekt është linjë Azbest Cement DN 100 mm”, thuhet në njoftimin e KRUP.
Sipas KRUP, ekipet e mirëmbajtjes janë organizuar shpejtë për të sanuar gjendjen në mënyrë që konsumatorëve të zonës t’iu rikthehet sa më shpejtë furnizimi me ujë.
“Ekipet do të bëjnë një zgjidhje alternative të përkohshme”, thotë kompania e ujësjellësit.
Por mëngjesin e sotëm, një qytetare, më saktësisht banore e kësaj shtëpie që ka pësuar dëme të mëdha nga ky defekt, ka shkruar në Facebook-un e saj personal se me të raportuar rastin me mëngjes, nuk kanë marrë ndihmë të menjëhershme nga organet kompetente.
Banorja që edhe i ka publikuar fotografitë e ngjarjes, i ka thënë Kohës se frika në familje ishte edhe kontakti i ujit me energjinë elektrike. Thotë se kanë kontaktuar zjarrfikësit, porse ata s’i kanë ofruar ndihmë të menjëhershme duke thënë se nuk është në kompetencat e tyre.
Ajo shtoi se në vendin e ngjarjes, më pas ka shkuar Policia e Kosovës.
Më poshtë gjeni fotografitë nga shtëpia që ka pësuar dëme dhe njoftimi që ka bërë ajo:
{gallery}