Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se do të shtyhet pagesa e lejeve të ndërtimit deri në 90 ditë. Krejt kjo për shkak të ndaljes së aktivitetit ekonomik, gjatë kohës kur shumica e qytetarëve po qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19
Këtë Ahmeti e ka bërë të ditur përmes një statusi në Faceook, ku ka theksuar se kompanitë që nuk do të mund ta paguajnë këstin, duhet të dërgojnë një kërkesë me shkrim e cila do t’u aprovohet menjëherë.
“Të gjitha këstet për leje në Komunën e Prishtinës mund të shtyhen për 90 ditë. Duke marrë parasysh ndaljen e aktivitetit ekonomik dhe diskutimet me kompanitë, çdo kompani që nuk ka mundësi të paguajë këstin, dërgon kërkesë elektronike dhe përgjigja do të jetë pozitive. Për më shumë detaje do të ketë informatë në webfaqen e komunës”, ka njoftuar Ahmeti.
Ndërkohë i pari i Prishtinës ka theksuar se në ditët në vijim do të lajmërojë edhe për masat e tjera ekonomike pas diskutimeve që do të ketë me përfaqësues të sektorëve të ndryshëm.