Banorët e lagjes së Muhaxhirëve në Prishtinë, janë ankuar se që prej orës 16:00, janë pa ujë, raporton Koha.net.
E në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina”, arsyetohen se kjo është pasojë e një intervenimi dhe se ai është kryer, e shpejt pritet të stabilizohet edhe shtypja e ujit.
“Për shkak të intervenimit ne gypin e vjetër të Badocit (250 milimetra), nga ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të Ujësjellësit, lagjja e Muhaxhirëve dhe një pjesë e një lagjeje në Bregun e Diellit kanë mbetur pa ujë të pijshëm që nga orët e pasdites së sotme. Rrjedhja e ujit ka qenë e paplanifikuar dhe në orën 20.30 ka përfunduar sanimi. Deri në stabilizimin e rrjetit, që pritet të ndodhë, tash kërkojmë mirëkuptim nga konsumatorët. Uji veç është lëshuar në rrjet”, ka thënë zëdhënësja e Ujësjellësit, Arjeta Mjeku.