2 perditesime
11:04

MMPH-ja e quan kallëzimin penal të shoqërisë civile tendencë për linçim publik

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar lidhur me kallëzimin penal të shoqërisë civile ndaj sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie.

Përmes një komunikate për media, ata thonë se veprimet e tilla i vlerësojmë si presion ndaj zyrtarëve publik të cilët përkundër situatës dhe paqartësive politike, janë ndër shtyllat kryesore të funksionimit të Republikës së Kosovës, deri sa përgjegjësitë e tyre janë të përcaktuara me ligj.

“Andaj, më tutje vlerësojmë se përqendrimi dhe lakimi i emrave të përveçëm nga grupe të tilla jo-qeveritare kanë për qëllim linçimin publik të po këtyre zyrtarëve dhe zhvendosjen e vëmendjes së opinionit, duke orientuar padrejtësisht, pakënaqësitë publike ndaj problemeve të ndërlidhura me ndërtimet në Liqenin e Badovcit nga Komuna në MMPH. Për ne si institucion si dhe për gjithë personelin e MMPH-së, veprime të tilla janë të papranueshme, madje edhe fyese”, thuhet në njoftim.

Në rastin specifik për ndërtimet në zonën afër Liqenit të Badovcit, MMPH thotë se kanë ofruar qasje të plotë të interesuarve dhe përfaqësueseve të mediave në të gjitha dokumentet që ndërlidhen me këtë rast dhe qasje të njëjtë do të kemi edhe me organet e drejtësisë, me qëllim të argumentimit të ligjshmërisë së vendimeve tona.

“Dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se MMPH është e përkushtuar të zbatojë në përpikëri ligjin në mbrojtje të të gjitha rezervave ujore në Kosovë, dhe me theks të veçantë të Liqenit të Badovcit, dhe që në asnjë rast nuk do të lejojë shkeljen e këtij ligji nga ndërtimet eventuale nga kushdo qoftë. Për më shumë, dëshirojmë të ju njoftojmë se presioni publik dhe linçimi ndaj zyrtarëve publik, të cilët veprojnë në përputhje të plotë me kornizën ligjore në Republikën e Kosovës, pavarësisht interesave të grupeve të caktuara, asesi nuk do të na ndalojnë së vepruari në pajtim me ligjin dhe nuk do të na dekurajojnë në përkushtimin tonë në mbrojtje të interesit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në njoftim.

Ata tutje shtojnë se MMPH mirëpret të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë edhe organizatat në fjalë, duke ofruar qasje në të gjitha dokumentet dhe vendimet në lidhje me projektin specifik, me qëllim të sqarimit të gjitha detajeve.

“Marrë parasysh sfidat mjedisore të viteve në vijim, vetëm me bashkëpunim të mirëfilltë dhe me komunikim të drejtë, bashkë mund të sjellim rezultate edhe më të mira, gjithmonë në pajtim me interesin e përgjithshëm publik dhe kornizën ligjore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

10:46

Dorëzohet kallëzimi penal ndaj zyrtarit të MMPH-së për rastin e ndërtimeve në Badovc

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS); Balkan Green Foundation (BGF); Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP); Instituti GAP, sot, me datë 31 janar 2020, dorëzuan kallëzimin penal ndaj sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për veprimet e tij lidhur me rastin e ndërtimeve në hapësirën e Liqenit të Badovcit.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS); Balkan Green Foundation (BGF); Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP); Instituti GAP, përmes një komunikate për opinionin konsiderojnë se:

Së pari, Zyra e sekretarit të përgjithshëm të MMPH-së, kundërligjshëm ka detyruar/obliguar Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës që të procedoi kërkesën për kushtet ndërtimore duke u thirrur gabimisht në nenin 20 dhe 21 të Ligjit për Ndërtim. Kjo ngase i njejti ka detyruar/obliguar Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës që të veproj duke anashkaluar vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 16/127, datë 24.04.2013, i cili shprehimisht, në nenin 11, par.4, nënpar. 4.3, zonën në të cilën kërkohet lëshimi i kushteve të ndërtimit e parashihet si zonë e ndaluar për ndërtim.

Së dyti, ky detyrim është i kundërligjshëm për faktin se disa nga parcelat kadastrale të cilat përmenden në kërkesë, hyjnë në zonën mbrojtëse të liqenit akumulues-Badovcit dhe në çfarëdo lloj situate ndërtimi i çfarëdolloj objekti për turizëm, rekreacion ose objekte të tjera të cilat do të mund të rrezikonin cilësinë e ujit, nuk do të mund të lejohej dhe zgjatja e procedurave administrative deri në shterjen e të gjitha mjeteve juridiko-administrative do të duhej të dërgonte në rezultatin e njejtë, pra mos lejimin e ndërtimit të çfarëdo objekti që do të mund të rrezikonin cilësinë e ujit. Kjo ngase një gjë e tillë është e përcaktuar në Vendimin e Qeverisë nr. 16/127, vendim ky që ka fuqi mbi të gjitha aktet tjera komunale dhe çdo institucion shtetëror duhet të garantoj për zbatimin e tij.

Së treti, realizimi i ndërtimit të kompleksit të shtëpive individuale të banimit, në atë zonë do të ndikonte negativisht në biodiversitetin, ndotje të ambientit, tokës ose ujit, e si rrjedhojë do të binte në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, me theks të veҫantë me Ligjin për Mjedisin dhe Vendimin e Qeverisë me nr.16/127. Andaj, në këto rrethana, konsiderohet se janë përmbushur të gjitha elementet e veprës penale në tentativë “Lejimi i kundërligjshëm i ndërtimit apo drejtimit të fabrikave dhe instalimeve që ndotin mjedisin”e paraparë në Nenin 340,par.1, i cili parasheh që “Kushdo që duke shkelur ligjin mbi mbrojtjen e mjedisit, lejon ndërtimin apo instalimin e fabrikës ose drejton apo menaxhon fabrikën ose instalimin në të cilën kryhet veprimtari e rrezikshme dhe me këtë rrezikon të shkaktojë vdekjen apo lëndimin e rëndë trupor të ndonjë personi, ndotë mjedisin, ajrin, tokën apo ujin ose shkakton dëm në shumë prej pesëmijë (5.000) Euro apo më shumë të kafshëve, bimëve ose pasurisë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet”, lidhur me nenin 28, par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku thuhet: “Kushdo që me dashje ndërmerr veprime për kryerjen e veprës penale por vepra nuk është kryer ose elementet e veprës penale nuk janë realizuar, konsiderohet se ka tentuar të kryejë vepër penale”.

Së katërti, meqenëse me vendimet e lëshuara nga Minsitria, janë aprovuar të gjitha ankesat që pala ka bërë ndaj refuzimeve nga ana e Komunës, vërehet tentimi i tij që të ndërhyjë në një proces për të cilin çfarëdo procedure që do të zbatohej, përfundimi do të ishte i njejtë. Dhe rrjedhimisht tendenca e tij për të treguar të kundërtën, si qëllim për ta ҫorientuar palën që ka parashtruar kërkesë për lëshimin e kushteve ndërtimore , në një zonë e cila është e ndaluar për ndërtim, paraqet dyshim të bazuar mirë se janë plotësuar elementet e veprës penale të Mashtrimit nga neni 323, par.1 të Kodit Penal të Kosovës..

Së pesti, lidhur më këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe me dyshimin se i njëjti ka pasur për qëllim që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, në këtë rast duke dëmtuar zonën e mbrojtur –Liqenin akumulues të Badovcit, ka nxjerrë vendime më të cilat ia ka imponuar Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, që edhe pas dy refuzimeve, të bëjë lëshimin e kushteve të ndërtimit. Prandaj, ekziston dyshimi se me këto veprime janë konsumuar elementet e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Së gjashti, përveç pjesës së lartcekur, këto veprime bien në kundërshtim edhe me dispozitat e Ligjit për Ujërat e Kosovës, përkatësisht në nenin 26 paragrafi 2, ku ndalohet kryerja e të gjitha punëve të cilat shkaktojnë ndryshimin në gjendjen ujore. Po ashtu, në nenin 66 të këtij ligji, përcaktohet mbrojtja dhe ruajtja e zonave të mbrojtura ujore, ku në këtë grup bën pjesë edhe Liqeni akumulues i Badovcit, i shpallur me vendimim e Qeverisë nr.16/127. Njëkohësisht, me të njëjtin ligj, në nenin 67 përcaktohet se në rastet kur mund të rrezikohen kushtet cilësore apo sasiore, në zonën e mbrojtur ujore, mund të ndalohen ose kufizohen aktivitetet e pronarëve apo poseduesve të tokës, situatë kjo që i përshtatet rastit konkret.

Së shtati, edhe Ligji për Mjedisin, në nenin 8, përcakton se shfrytëzimi dhe mbrojtja e resurseve natyrore bëhet përmes planifikimit për ruajtjen e cilësisë dhe llojllojshmërisë së tyre, në përputhje me kushtet dhe masat për mbrojtjen e mjedisit të përcaktuara me këtë ligj dhe ligjet e veçanta. Rrjedhimisht, ky ligj vendos kritere dhe kushte të cilat duhet të respektohen në çfarëdo situate në çdo rast kur rrezikohet mjedisi, gjë e cila është tentuar të injorohet me veprimet e ndërmarra nga Sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së, përmes vendimeve të drejtuara drejtë Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës

Së teti, në këtë rast nuk janë marrë parasysh as dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr.15/2017 të datës 08.12.2017, për kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura sanitare të burimeve të ujit. Me veprimet e tij, Ministria ka rënë në kundërshtim me dispozita e nenit 4 ku thuhet se përcaktimi i zonave të mbrojtura sanitare bëhet me qëllim që të mbrohen burimet e ujit nga ndotja e qëllimshme apo e rastësishme e cila mund të ketë efekte negative në kapacitetet dhe vetitë natyrale të burimeve të ujit. Kjo duke pasur parasysh edhe faktin se në nenin 18, par.1, i po këtij Udhëzimi Administrativ përcakton se Zona e II-të sanitare përfshinë kufirin prej 500 (pesëqind) metra nga vepra ujëmarrëse. Kjo nënkupton që brenda kësaj hapësire, ashtu edhe siç e parasheh Vendimi i Qeverisë nr.16/127, si dhe aktet ligjore në fuqi, ndalohet çdo lloj ndërtimi i objekteve, e aq me pak i atyre objekteve me karakter rekreativ apo të banimit sepse të njejta do të mund të ndikonin negativisht në biodiversitetin e florës dhe faunës, cilësinë e ujit etj. Shprehimisht këtë ndalesë e përmban edhe neni 13, paragrafi 1.10 lidhur me nenin 15 të këtij Udhëzimi Administrativ, kjo për shkak se ekziston rreziku se me ndërmarrjen e veprimeve të tilla mund të ketë pasoja në burimin e ujit, qoftë në kuptim sasior apo cilësor.

Prandaj Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS); Balkan Green Foundation (BGF); Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP); Instituti GAP, i kërkojnë Prokurorisë Themelore në Prishtinë që këtë çështje ta hetojë tërësisht dhe ta procedojë më tutje.

09:05

Sot dorëzohet padia në lidhje me ndërtimet te Liqeni i Badovcit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Balkan Green Foundation Prishtina, Instituti për Politika Zhvillimore, Instituti GAP mbajnë konferencë për media.

Kjo konferencë vjen me rastin e dorëzimit të kallëzimit penal ndaj Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për veprimet e tij lidhur me rastin e ndërtimeve në hapësirën e Liqenit të Badovcit.

Në këtë konferencë e cila do të mbahet në oren 10:00, këto organizata do të shpalosin përmbajtjen e kallëzimit penal dhe shkeljet ligjore që dyshohet të jenë kryer nga sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Për më tepër, me anë të kësaj konference do t’i bëhet thirrje Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të hetojë këtë rast dhe të trajtojë të gjitha dyshimet e ngritura në kallëzimin penal të dorëzuar.