Në seancën e djeshme për Liqenin e Badovcit Kuvendi Komunal i Prishtinës ka marrë vendim të pezullojë Planin Zhvillimor Komunal për zonën një, dy dhe tre deri në nxjerrjen e dokumenteve tjera të planifikimit.
Po ashtu, ishin miratuar edhe dy rekomandime ndaj komunës, ai për anulim të kushteve të ndërtimit dhe ai për nisjen e procedurave që pjesë të Liqenit të bëhen pjesë e peizazhit të njohur të Gërmisë.
Asamblisti i PSD-së, Nol Nushi në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se vendimi për pezullimin e Planit Zhvillimor komunal nuk ka bazë ligjore.
Edhe Nushi kishte votuar pro këtij vendimi, megjithëse thotë se e kishte ditur se nuk ka bazë ligjore.
“Qysh në start të seancës dihej se të gjitha grupet ishin që të gjitha ndërtimet në Badovc nuk duhet të ndodhë, e nuk e di se pse zgjati pesë orë. Nuk kam njohuri që në Kosovë të jetë pezulluar ndonjë Plan Zhvillimor. Kjo është pezulluar në zonën 1, 2 dhe 3. Kjo është bërë me tendencën se duke e ditur se ajo është pezulluar nuk mund të bëhen ndërtime atje. Asambleja komunale ka votuar diçka për të cilën kam frikë se nuk do të ketë efekt ligjor”, shprehet Nushi.
Nushi shtoi se derisa nuk e kemi Planin Zhvillimor të ri dhe hartën zonale, që janë dy dokumentet kryesore të Planifikimit Urban, dhe përderisa nuk i kemi ato vlejnë të gjitha dokumentet e planifikimit të më hershme, pra nuk njeh situata vakum ligjor.
Sipas tij Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të kthejë si vendim të parealizueshëm.
“Pezullimi nuk është puna se e ndalon ndërtimin, thjesht me Pezullim të Planit Zhvillimor ti nuk ke se si kërkon leje sepse nuk ka plan për atë zonë, po e zëmë, mirëpo shpresoj se do të ketë efekt ligjor. Por, me dijen time jam i sigurt se Ministria përkatëse do të na kthejë atë vendim si të parealizueshëm, të mos them i jashtëligjshëm. Ajo ministri do të na kthejë përgjigje brenda 15 dite”, ka thënë Nushi.
Ai ka akuzuar partitë opozitare se donin të përfitonin polifikisht nga ky rast.
“Nga dy subjektet opozitare pat një tendencë shumë të pasinqertë e cila e dëmton edhe kauzën e mbrojtjes së Liqenit të Badovcit, për të përfituar politikisht nga ky vendim. Vota ime ishte pro këtij vendimi, por jam i bindur se kjo nuk do të ketë efekt ligjor. Ishalla ka efekt ligjor, por nëse s’ka duhet të gjejmë rrugë të tjera. Publikisht kam shkruar për këtë punë, dhe kam bërë kërkesa edhe më radikale për mbrojtjen e Badovcit. Nëse ligji e lejon, atëherë kam kërkuar që ato të ndryshohen”, ka thënë ai.
Tutje Nushi ka shtuar se Prishtina furnizohet me ujë nga tre liqene, e pjesa më e madhe merret nga Liqeni i Batllavës, që është në gjendje shumë të keqe.
Ai thotë se brenda mandatit të Ahmetit janë përfshirë mëse 2 mijë hektarë të Parkut të Gërmisë, që është edhe një pjesë përreth liqenit të Badovcit.
Tutje ai ka shtuar se Komuna mund të paditet nga investitori.
“Kushtet janë lëshuar në fundin e vitit të kaluar, e ato janë publike. Deri atëherë nuk ka pasur reagim, po pas publikimit nga kompania ka pasur reagim. Komuna vazhdimisht nuk ka lëshuar kushte të ndërtimit. Jam i angazhuar që ndërtimi aty të mos ndodhë, dhe jam i sigurt se ajo nuk do të ndodhë. E kushtet nuk janë as valide, e tani është në dorën e MMPH-së të marrë vendim. Ajo lagje është milionëshe. Nëse kompania e padit Komunën për tërheqjen e kushteve të ndërtimit mendoj se çmimi që mund të jetë i lartë dhe i papërballueshëm për Komunën”, ka thënë Nushi.
Ai ka kërkuar që sa më parë të bëhet një Plan Urbanistik, por që duhet të jetë i mirë.
“Është më mirë të vonohemi se sa të ngutemi për të bërë një plan të mirë urban. Nuk mund të flas për afatet se kur do të kryhet. Ka pasur prezantime të Planit Urban, e të gjitha partitë kanë dhënë lëvdata për të, por nuk e di se kur do të kryhet. Komuna e Prishtinës ka bërë një shpenzim të buxhetit më të madh ndonjëherë. Gjatë gjithë historisë së Prishtinës. Harta Zonale, nëse fillon sivjet, duhet të kryhet brenda tre viteve dhe paratë barten nga viti në vit për mos kryerjen e projektit. Ato nuk janë të pashpenzuara, pasi janë të kontraktuara. Plani Zhvillimor Urban ka nevojë të kryhet sa më shpejtë. I bëj thirrje edhe Qeverisë komunale që ta përfundojë sa më shpejtë, por jo në shpinë të cilësisë së planit”, ka thënë Nushi.