Arbëri

Kanalizimi i pambuluar i shkakton probleme një familjeje në Prishtinë – komuna s’përgjigjet

Një qytetar ka vendosur ta mbulojë me dërrasa rrjetin e tij të kanalizimit.

Por, kjo zgjidhje po i shkakton telashe një banori tjetër të lagjes ‘’Kodra e Diellit’’ në Prishtinë, raporton KTV.

Hakif Osmani thotë se ky rrjet kanalizimi i paizoluar derdhet në oborrin e tij, derisa si shkak i mos-zgjidhjes së këtij problemi, atyre u pengon edhe kundërmimi.

Për këtë, ai thotë se ka biseduar disa herë me komshiun e tij Salim Qeriqin, për të rregulluar problemin, por që sipas tij, nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët.

Ndërkohë, Osmani tregon se është detyruar të njoftojë drejtorinë e Inspeksionit të Prishtinës, derisa as këta sipas tij, nuk i bën zgjidhje.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me Salim Qeriqin i cili përmes telefonit, ka thënë se ai është në kontakt me zyrtarë komunalë për gjetjen e një zgjidhjeje.

Mirëpo, sipas tij, problem paraqet pozita në të cilën gjendet shtëpia ku ai është duke banuar me qira dhe rrjeti i organizuar i kanalizimit në këtë pjesë të qytetit.

Ndërkohë, për këtë problematikë, zyrtarë komunalë nuk kanë kthyer përgjigje.