Arbëri

Trafiku urban në kryeqytet me biletë ditore edhe për operatorët privatë?

Foto: Koha / ilustrim

Trafiku urban planifikon që në një të ardhme të afërt t’ua mundësojë qytetarëve që me një biletë ditore të udhëtojnë në të gjitha linjat e trafikut urban, ku do të jenë të përfshirë edhe operatorët privat.

Këtë e pohuan për Radio Kosovën zyrtarë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Trafiku Urban. Ata thanë se janë duke punuar në këtë drejtim, por nuk ishin në gjendje të saktësojnë se kur do të fillojë jetësimi i projektit.

Komuna e Prishtinës qe disa muaj ka angazhuar konsulentë vendorë dhe ndërkombëtarë për përpilimin e modelit të futjes në sistem edhe të operatorëve privatë të transportit publik. Kështu ka thënë në një përgjigjeje me shkrim Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Ajo ka thënë se ky model është paraparë të propozojë sistemin e biletës së integruar për tërë shërbimin e linjave që ofrohet nga Trafiku Urban apo operatorët privatë.

'Mendohet të kemi disa lloje të biletave, si p.sh. vjetore, mujore, javore, ditore dhe për disa orë. Mirëpo, formati përfundimtar ende nuk dihet meqë jemi akoma në proces të përpilimit të modelit. Me përfundimin e këtij modeli shpresojmë se nga viti i ardhshëm do fillojmë futjen graduale në sistem të operatorëve privatë, të cilët do hyjnë në marrëveshje kontraktuale me Komunën' tha ajo.

Drejtori i Trafikut Urban në Prishtinë, Lulzim Rexhepaj, tha se ende nuk janë gati, sepse duhet ende kohe.

'Po, kemi në plan të bëjmë një biletë të integruar, por që duhet të presim të bëjmë një zgjidhje edhe për operatorët privatë. Patjetër që në të ardhmen po, por sa do të zgjasë ky proces nuk e dimë por në janar nuk ka shans, sepse është kohë e shkurtër, vetëm një muaj’, tha ai.

Trafiku Urban edhe Rrjeti i Linjave të Transportit Publik është i përcaktuar me Planin e Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban të Komunës së Prishtinës. Komuna e Prishtinës thotë se është duke punuar për përpilimin e modelit të futjes në sistem edhe të operatorëve privatë të transportit publik në muajt në vazhdim për biletën e integruar.