Arbëri

Banorët e lagjes “Mati 1” kërkojnë trajtim të barabartë për kyçje në rrjetin e Termokosit

Kolona në rrugën “Muharrem Fejza” në kryeqytet, është krijuar si pasojë e punimeve të ngrohtores së qytetit “Termkos”, për zgjerimin e rrjetit të saj.

Mirëpo, këto punime, sipas Termokosit, janë bërë për ta kyçur vetëm një objekt, atë të qendrës tregtare “Royal Mall” dhe jo komplet lagjen “Mati 1”, raporton emisoni 038 në KTV.

Kohavisioni merr vesh se nga shtrirja e rrjetit do të përfitojë edhe Avni Agushi, i cili punon si inxhinier në Termokos.

Por, këtë e ka mohuar kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje publike komunale, Arsim Fetahu, megjithëse nuk ka përjashtuar krejtësisht mundësinë që ndonjë objekt banesor të kyçet në këtë fazë në ngrohtoren e qytetit.

Inxhinieri Agushi, prapa kamerës, ka mohuar të ketë banesë në këtë lagje.

Ndërsa, disa banorë të kësaj lagjeje thonë se përmes këtyre punimeve do duhej të kyçeshin edhe ata, e jo vetëm një objekt.

Në anën tjetër, kyeshefi Fetahu thotë se zgjerimi i rrjetit të ngrohjes në pjesën tjetër të rrugës “Muharrem Fejza” do të bëhet vitin e ardhshëm.

Fetahu ka thënë se kyçjen e objektit të qendrës tregtare nuk kanë mundur ta lënë për vitin e ardhshëm, pasi, sipas tij, ky është projekt i ndarë nga ai që do të nisë më 2020 në pjesën tjetër të lagjes.