Arbëri

Prishtina gati për festat e fundvitit

Temperaturat në kryeqytet kanë qenë të ulëta në dy ditët e fundit, por kjo nuk i ka ndalur qytetarët që të kalojnë kohë në sheshet e kryeqytetit. Dritat dekoruese veçse janë ndezur dhe kjo i ka sjellë sheshit llojllojshmëri ngjyrash.

Nga sheshi “Zahir Pajaziti” e deri tek ai me emrin “Ibrahim Rugova” shihen shumë qytetarë duke u argëtuar me muzikat që dëgjohen në sfonde nga lokalet, por edhe nga 44 shtëpizat e drurit, të cilat janë sjellë në kuadër të organizimeve që janë bërë nga Komuna e Prishtinës për këtë fundvit.

Nga këto shtëpiza qytetarët mund të shërbehen me çaje të ndryshme, çokollatë të nxehtë dhe pije alkoolike, raporton 038 në KTV.

Ardian Berisha nga Komuna e Prishtinës ka thënë se kompania, e cila e ka fituar tenderin për dekorimin e sheshit për festa të fundvitit është kompania “Anea”.

“Shuma totale e tenderit për tre vjetët e ardhshëm është rreth 190 mijë euro. Pra do të kemi një kompani për tre vjet dhe nuk do t’i kemi problemet e mëparshme që i kemi pasur me vonesa”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, shtëpizat e shumta të cilat janë vendosur në sheshet e kryeqytetit këtë vit do t’iu japin më shumë hapësirë qytetarëve për t’u argëtuar.

“Nuk besojmë se do të ngufatët qyteti, është krejtësisht e kundërta, pasi që do të kemi dy zona. Do të kemi një decentralizim të aktiviteteve dhe shtëpizave”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se nuk ka pasur parregullsi në dhënie të shfrytëzimit të shtëpizave të drurit.

Deri më 30 dhjetor Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se do të ketë performanca të ndryshme artistike me fokus në muzikë, shfaqje baleti e kulturore.

Berisha ka dhënë detaje edhe si si do të festohet viti 2020 në shesh.

Ndërsa, qytetarët i mirëpresin këto organizime për fundvit nga Komuna e Prishtinës. Ata thonë se këto organizime po i argëtojnë mjaft shumë dhe po i frekuentojnë çdo ditë këto hapësira në sheshet e kryeqytetit.